Hiqen kontributet për pensionistët që punojnë – Nisma, do të marrin pensionin, por nuk do paguajnë më!

Ata që kanë dalë në pension por që vijojnë të jenë të vetëpunësuar, nuk do të paguajnë më kontribute sigurimesh shoqërore. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave i jep zgjidhje një ngërçi që kushtëzonte pensionistët që të paguanin kontribute nëse vijonin aktivitetin e tyre pas plotësimit të moshës për pension pleqërie.
Kjo masë synon lehtësimin e përfituesve të pensionit të pleqërisë të cilët vetëpunësohen në sektorin privat nga barra e pagimit kontributeve, duke qenë se atyre koha e vetëpunësimit nuk u njihet si periudhë sigurimi.
Aktualisht janë 1 484 përfitues të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat të cilët paguajnë kontribute çdo muaj në masën 14 milionë e 151 mijë lekë të cilat kalojnë në fondin e sigurimeve shoqërore.
Përmes nismës së Këshillimit Kombëtar qytetarëve ju kërkua të jepnin mendim, në lidhje me faktin nëse pensionistët të cilët vetëpunësohen në sektorin privat duhet të përjashtohen nga pagesa e kontributeve të detyrueshme për sigurime shoqërore. Nga rezultatet e kësaj nisme evidentohet fakti se 66% e qytetarëve kanë dhënë përgjigje pozitive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.