Hiqet TVSH-ja për bashkimet e fermerëve – Peleshi: Eliminojmë barrierën e fundit për kooperimin

Qeveria do të nxisë kooperimin e fermerëve për të nxitur zhvillimin dhe ndërtimin e mirëqenies për kategorinë e fermerëve të vegjël.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, e komunikoi këtë vendim gjatë një takimi me studentët e UBT, të cilët do të përfshihen në një fushatë për komunikimin e skemave kombëtare për bujqësinë.
“Kemi shembuj të shkëlqyer ku fermerë të vegjël bashkëpunojnë, krijojnë një ndërmarrje më të madhe dhe rriten shumë më shpejt. Duke filluar nga java tjetër, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, pra bashkimet e fermerëve do të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së, njëlloj si fermerët e vegjël. Pra do të hiqet barriera e fundit e kooperimit të fermerëve. Nga ana tjetër, kjo skemë jep 25-50% më shumë financim për kooperimin”, u shpreh Peleshi.
Duke shpjeguar një tjetër nismë të Ministrisë së Bujqësisë, atë për ngritjen e një rrjeti dyqanesh që shesin produkte tradicionale shqiptare, Peleshi u shpreh se edhe këtu ka nevojë për informim të fermerëve.
“Marketingu është vite dritë larg shkallës ku duhet të jetë. Marketimi, paketimi i produkteve, pjesëmarrja në panaire është një hapësirë që duhet zhvilluar. Ne do të ngremë një rrjet të produkteve tipike në treg, Por duhet shumë trajnim për t’i mësuar fermerët se si t’i paketojnë për të krijuar një produkt tipik”, u shpreh ministri.
Ministria ka shpallur edhe një konkurs për dizajnin dhe marketimin e kësaj marke të rrjeteve të dyqaneve me prodhime shqiptare. Dyqanet do të vendosen në zona qendrore dhe të aksesueshme lehtë nga turistët vendas dhe të huaj, ndërsa do të tregtojnë vetëm produkte me origjinë nga trevat e Shqipërisë.
Angelo Haruni/SCAN
Ministria e Bujqësisë shpall konkursin – 5 mijë dollarë për fituesin që ideon brand-in e dyqaneve me prodhime shqiptare
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.