Hiqet vula apostile e Greqisë – Bushati: Fatura 5 milionë euro, vazhdojnë bisedimet për kufirin

Çështja e regjimit kufitar me Greqinë, shfuqizimi i ligjit të luftës, të drejtat e 500 mijë emigrantëve në shqiptarë, kanë qenë disa nga pikat e diskutuara në takimin midis Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm, Ministri Bushati theksoi se është biseduar për të hequr vulën apostile e cila krijonte një faturë për qytetarët shqiptarë në Greqi në vlerën e 5 milion eurove si dhe njohjen e ndërsjelltë të patentave.
“Për ne ishte i pashpjegueshëm fakti që vula apostile mbetet në raportin me Greqinë ose Greqia në raport me Shqipërinë. Vetëm fatura financiare që paguajnë shtetasit shqiptar nga aplikimi i kësaj rezerve është diku te 4-5 milion euro. Po kështu sa i përket njohjes së patentave apo lejes së drejtimit të automjetit”.
Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar në takim ka qenë edhe ajo e regjimit kufitar detar dhe tokësor me Greqinë, për të cilën ende nuk është arritur një dakordësi.
“Me Greqinë ende nuk kemi përfunduar çështjen e regjimit kufitar, qoftë në det qoftë në tokë. Është një çështje e trashëguar, e lënë në harresë, në disa raste të tjera duke mos pasur vetëdije të plotë për të diskutuar dhe për të dhënë argumentin që duhet. Marrim çështjen e detit, besoj se nuk ka asnjëri në këtë sallë që të mendojë që marrëveshja e 2009 ishte një marrëveshje e mirë, ishte një marrëveshje e drejtë dhe e duhur”.
Ndër të tjera Bushati bëri me dije se po punohet nga të dyja palët për menaxhimin e incidenteve në kufi, ndërsa shprehu qartësisht se sa i përket çështjes çame, Shqipëria nuk ka asnjë pretendim për ndryshueshmëri kufiri. Gjithashtu, Bushati foli edhe për shfuqizimin e ligjit të luftës, ndërsa theksoi se Greqia mbështet integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.