Historia e karuselëve të famshëm në Shqipërinë e 1920! Si argëtoheshin fëmijët e të rriturit me lojën amerikane (FOTOT)

Deri në vitin 1920, në Shqipëri argëtimi ishte diçka e pakonceptueshme, jo vetëm nga fëmijët por edhe nga të rriturit, përballë kërkesave më elementare që paraqiteshin në atë periudhë. Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të përballej me një mungesë stabiliteti, luftëra e pushtime që do të sillnin mangësi të gjërave më të domosdoshme për jetesën e njeriut. Megjithatë, pas vitit 1920, vendi nis të njohë njëfarë stabiliteti.
Në këtë periudhë, në Shqipëri vijnë misionarët e Kryqit të Kuq amerikan. Shërbimi mjekësor, ushqimi, veshjet, kurset profesionale e argëtimi do të ishin disa prej risive që do të sillnin në Shqipërinë e atyre viteve.
Krahas kontrolleve mjekësore apo mjekimeve për popullatën, misionarët amerikanë do t’i kushtonin një rëndësi të veçantë edhe fëmijëve të braktisur të luftës; një pjesë e të cilëve kishin mbetur jetimë nga humbja e prindërve ose që ishin braktisur e përbuzeshin duke u konsideruar si pjellë e pushtuesve e si të paligjshëm. Kjo kategori fëmijësh do të strehohej nga misionarët amerikanë të cilët do të ngrinin edhe një jetimore ku i ushqenin dhe edukonin këta fëmijë.
Veç arsimimit, për fëmijët në atë kohë nisën të organizoheshin aktivitete të ndryshme e lojëra e madje do të hapeshin parqe të posaçme lojërash, që do të shërbenin si pika reference jo vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit.
Në pamundësi për të pasur pajisje të posaçme, misionarët amerikanë do të sillnin si “inovacion” në fushën e argëtimit, karuselin apo rrotullamen e famshme të shpikur në vitin 1893 të emërtuar “Ferris Wheel”.
Në Elbasan dhe Tiranë do të ndërtoheshin karusele të ngjashme me dru. Referuar dëshmive të misionarëve amerikanë, karuseli i Elbasanit u ndërtua në vitin 1920 dhe rreth tij do të krijohej një park i vërtetë lojërash që brenda pak kohësh u kthye në një zonë argëtimi për të gjithë komunitetin.
Karuseli do të ndërtohej me kërkesën e infermiereve amerikane, duke përdorur dy trungje pemësh dhe disa trarë të latuar.
Sikurse tregohet edhe në foto (djathtas), dy infermieret do të ishin ato që do ta testonin të parat sigurinë e karuselit që më vonë do të përdorej nga 500 fëmijë e të rritur.
“Fëmijët në Shqipëri nuk e dinin se si të luanin apo se si lëvizte pajisja derisa erdhi Kryqi i Kuq. Këtu në Elbasan, 500 të rinj janë duke luajtur lojërat amerikane. Infermierët ishin zonjusha Sara W.Crossley nga Cape Charles dhe zonja Eleano Wilson nga New York City” shkruhet në materialin që shoqëron foton.
Misionarët amerikanë në përshtypjet e tyre evidentojnë se nuk ishin vetëm fëmijët që e shijonin atmosferën që krijohej e argëtimin, por edhe të rriturit. Fëmijët prisnin radhën për të luajtur ndërsa të rriturit shikonin “si fëmijë” atë që ndodhte pasi për arsye zakonore nuk mund të luanin.
“Shumë të rritur mblidhen në sheshin e lojërave si fëmijë. Për shkak të traditave të tyre gjysëm orientale ata mblidhen në orët e pasdites në sheshin e lojërave vetëm, për të parë argëtimin. Në këtë shesh lojërash amerikanët po japin mësim, kujdesen për fëmijët e sëmurë dhe po i ushqejnë ata” shkruhet më materialin që shoqëron fotot e publikuara nga “SCAN”.
Referuar arkivës së Librarisë së Kongresit, edhe në Tiranë do të ndërtohej një lodër e ngjashme. Madje, në ditën e inaugurimit të saj do të zhvillohej një festë e posaçme, me orkestër e muzikë. Këto momente do të fiksoheshin në vitin 1931.
“Një orkestër në Tiranë krijon një harmoni për fëmijët me rastin e hapjes së sheshit të lojërave nga Kryqi i Kuq Amerikan. Instrumentet frymore mbizotërojnë por daullja bën më të mirën e saj për të ndjekur notat e larta të klarinetave turke.
Kur të gjithë instrumentet harmonizohen, muzika, për një vesh perëndimor, i ngjason zhurmës së një karroce që merr një kthesë të fortë pranë një dyqani që shet kazane.
Këta muzikantë luajnë për evente publike dhe private si martesa, festival etj” shkruhet në diciturën e fotos që do të përfshihej në vitet ’30 edhe në reportazhet e “National Geographic” për Shqipërinë.
K.KUÇAJ/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.