Holanda i kërkon KE rikthimin e vizave – Letër për Avramopulous: Merrni masa për problemin me shtetasit shqiptarë
Qeveria holandeze, pas kërkesës së bërë nga Parlamenti i vendit më 16 Prill, i ka dërguar një kërkesë Komisionit Europian për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Në letrën dërguar Komisionerit për Migrimin, Dimitri Avramopulous, qeveria holandeze saktëson se, disa nga kushtet e përcaktuara në pikën 8.2 të rregullores për të anuluar regjimin e liberalizimit të vizave, janë përmbushur. Më saktësisht bëhet fjalë për 3 pika, d, a dhe b. Në letër, të treja këto pika sqarohen edhe me shifra. Arsyeja kryesore se përse Holanda kërkon rikthimin e vizave me Shqipërinë është si pasojë e rritjes së aktivitetit të rrjeteve kriminale shqiptare në Mbretëri.
Qeveria holandeze vlerëson në letrën dërguar Komisionit Europian bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet shqiptare. Kujtojmë se, ishte Parlamenti dhe jo qeveria që votoi rezolutën në fjalë, ku kërkohet rikthimi i vizave me Shqipërinë. Pavarësisht faktit se, qeveria e vendit dhe ministri përgjegjës ishin kundër kësaj rezolute, pas miratimit në Parlament, qeveria holandeze është e detyruar të ndjekë linjën e legjislativit.
Letra mbyllet me kërkesën drejtuar Komisionit Europian për të shqyrtuar këtë kërkesë dhe faktet, në mënyrë që vendet anëtare të marrin masa sa i përket problemit me shtetasit shqiptarë. Komisioni Europian tashmë do të njoftojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian. Për këtë çështje ka reaguar edhe ambasada holandeze në Tiranë. Pasi sqaron përmbajtjen e letrës, ambasada nënvizon faktin se, deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë, 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.