Holanda mban larg ministrat e Turqisë, ndërsa konflikti pëshkallëzohet

Turqia i tha të dielën Holandës se do të hakmerrej në mënyrën më të ashpër, pas vendimit për të ndaluar fjalën e ministrave të Turqisë në mitingjet politike në Rotterdam me emigrantët turq.
Presidenti Erdogan e ka emërtuar vendin si një “mbetje naziste”, ndërsa konflikti u shndërruar në një incident diplomatik, në momentin kur policia ndaloi ministren e familjes të hynte në konsullatën turke në Rotterdam.
Qindra protestues u mblodhën jashtë me flamuj turq duke kërkuar të shihnin ministren.
Policia holandeze ka përdorur qenë dhe ujë me presion të lartë për të shpërndarë turmën, e cila po hidhte shishe dhe gurë. Disa protestues u rrahën me shkopa gome, ndërsa policia vazhdoi aksionin në këmbë me mburoja, me kuaj, si dhe furgona të blinduar.
Familja e ministres Fatma Betul Sayan Kaya u shpreh në Twitter e shokuar me ngjarjen:
“Bota duhet të mbajë qëndrim në emër të demokracisë ndaj këtij akti fashist! Kjo sjellje ndaj një ministre femër nuk mund të pranohet”.
Më vonë mediat raportuan se ministrja u largua drejt Gjermanisë, prej ku hipi në një avion privat për në Stamboll.
Qeveria holandeze e argumentoi vendimin duke thënë se nuk mund të bëhet palë mbështetëse e fushatave politike të ministrave turq në Holandë. Sipas qeverisë, këto tubime rrezikonin të krijonin ndasi në minoritetin turk, pasi mes tyre ka mbështetës dhe kundërshtarë të Erdogan.
Në Turqi, autoritetet kanë mbyllur ambasadën holandeze në Ankara dhe konsullatën në Stamboll. Ministri i Jashtëm i Turqisë i ka bërë thirrje ambasadorit holandez të mos kthehet nga leja për ca kohë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.