Holanda paraprin progres-raportin – Del me raport për situatën në Shqipëri. “Progres i ndjeshëm në të 5 kriteret”
Parlamenti holandez ka dalë me një raport sa i përket situatës në të cilën ndodhet Shqipëria në përmbushjen e 5 kritereve të vendosura nga Brukseli në mënyrë që të çelen negociatat.
Ky raport është rrjedhojë e vizitës së një delegacioni holandez në datat 6 dhe 7 Maj, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe ishte planifikuar pikërisht për t`i paraprirë progress-raportit për të dy vendet. Raportuesi për Ballkanin Perëndimor, Anne Mulder i cili është edhe autor i raportit, ka takuar kështu Kryeministrin Rama, kreun e Opozitës, Basha, disa ministra të kabinetit qeveritar, nënkryetaren e parlamentit si dhe një sërë përfaqësuesish dhe drejtuesish të organizatave jo qeveritare, për të arritur në një përfundim të qartë sa i përket situatës në të cilën ndodhet Shqipëria.
Në një prej këtyre kritereve, reformën në drejtësi, në raport thuhet se, Shqipëria ka bërë progres mjaft serioz. Në kriterin tjetër, atë të luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria vlerësohet se ka marrë masa në këtë drejtim, por se, pavarësisht kësaj, rastet e dënimeve në nivele të larta kanë qenë zhgënjyese.
Raportuesi holandez ndërkohë evidenton një progres të ndjeshëm në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, sidomos sa i përket kultivimit dhe trafikimit të kanabisit por edhe pastrimit të parave. Edhe niveli i demokracisë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe reformimi i administratës publike vlerësohen me tone pozitive nga raportuesi për Ballkanin. Sa i përket krizës politike, në raport shkruhet vetëm dy rreshta, ku thuhet vetëm se, raportuesi është i shqetësuar për gjendjen aktuale.
Sa i përket perspektivës europiane, në raport thuhet se, në rast se çelja e negociatave do të vijojë të shtyhet, atëherë njerëzit në Shqipëri do të krijojnë përshtypjen se, Bashkimi Europian nuk e do Shqipërinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.