Hollande vlerëson Ramën: Merita të posaçme në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare

Gjatë vizitës së tij në Francë, kryeministri Edi Rama nderohet nga Presidenti Hollande me dekoratën e lartë të Komandantit të Urdhrit të Legjionit të Nderit.
Rama vlerësohet me titullin e lartë për meritat e posaçme në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe politikën e ndjekur në rajon, si edhe për linjën e ndjekur euro-integruese gjatë këtyre viteve në pushtet.
Dekorata Ramës iu dorëzua nga homologu i tij francez, Bernard Cazeneuve.
“Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim.
Duke ju pranuar sot në gjirin e Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit, Republika i bën kësisoj homazh një burri shteti, një miku të madh të Francës dhe një europiani të bindur, që punon në mënyrë të palodhur për t’i dhënë Shqipërisë vendin që i takon në gjirin e Europës, ashtu siç edhe ne e dëshirojmë, të fortë, të begatë dhe paqësore”, u shpreh kryeministri francez Bernard Cazeneuve.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi homologun francez dhe presidentin për akordimin e titullit.
“Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht është më se e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha pare”, deklaroi Rama.
Dekorata Ramës iu dorëzua nga kryeministri francez, pasi Presidenti Hollande ishte në një vizitë zyrtare në Indonezi. Të njëjtin titull nderi e ka marrë edhe shkrimtari i njohur, Ismail Kadare.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.