Hotel luksoz në jug – Italianët e “Alpitour”: Brenda 2 viteve ndërtojmë hotelin me 180 dhoma
Në harkun e dy viteve të ardhshme, Shqipëria do të ketë një tjetër hotel luksoz të madh. Por kësaj here, vendodhja e hotelit do të jetë në jug të Shqipërisë, dhe jo në Tiranë. Konfirmimi vjen nga administratori i deleguar i “Voihotels”, që është grupi i hotelerisë së gjigandit italian, “Alpitour”, një ndër liderët e sektorit të hotelerisë dhe turizmit. Deklarata u bë gjatë inaugurimit të një tjetër hoteli në Siçili.
Sipas Paolo Terrinonit, aktualisht projekti në fjalë është në fazë konkretizimi dhe brenda 24 muajve do të jetë operativ. Hoteli do të jetë relativisht mjaft i madh, pasi parashikohet të ketë një kapacitet prej 180 dhomash, që e vendos atë krah për krah me hotelet më të mëdha në vendin tonë. “Plaza Tirana” ka 190 dhoma, Rogner hotel 178 dhoma dhe Tirana international 168 dhoma.
Ndër vite, ka pasur vazhdimisht përpjekje, sidomos nga liderët e sektorit nëpër Europë për të ndërtuar resorte dhe hotele luksoze në bregdetin shqiptar, veçanërisht në jug të vendit. Pjesa dërrmuese e këtyre projekteve janë braktisur për shkak të problemeve të ndryshme, kryesisht çështjeve të pronësisë. Kjo ka bërë që edhe interesi i investitorëve të huaj të zbehet.
Ky duket se do të jetë projekti i parë konkret në territorin shqiptar, që në rast se do të realizohet do t`i japë një shtysë domethënëse sektorit të turizmit, veçanërisht turizmit elitar, duke shërbyer pse jo edhe si magnet për të tjerë investitorë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.