Hoti: Krijimi i vendeve të reja të punës është heroizëm

“Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës është heroizëm. Kjo është arsyeja pse ne i kemi dhënë prioritet zhvillimit dhe punësimit”, këtë ka deklaruar nga Prizreni kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti.
“Kjo është arsyeja pse ne i kemi dhënë prioritet zhvillimit dhe punësimit. Krahas kësaj do të zhvillojmë luftë të pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Vetëm një shoqëri që sundon ligji krijohen parakushte për zhvillim, punësim dhe jetë më të mirë për qytetarët”.
Ministri i Financave ka thënë se prioriteti Qeverisë në dy vitet e shkuara ka qenë lehtësimi i barrës fiskale për bizneset, të cilat kanë përfituar lehtësira tatimore në vlerë 50 milionë euro.
“Me pakon e kaluar fiskale janë gjeneruar 41 mijë vende të reja të punës dhe janë ulur tatimet në vlerë prej 50 milionë euro për bizneset siç janë këto që i vizitova sot në Prizren. Me qeverinë e re këto shifra do të jenë dukshëm më të larta”, tha Hoti.
Hoti, si kandidat për kryeministër ka deklaruar se në axhendën e tij politike, kryesore është zhvillimi i vendit.
“Kam mbledhur rreth vetes njerëz me potenciale të mëdha që mund ta zhvillojnë dhe ta çojnë vendin përpara. Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që të bëhen pjesë e projektit të fitores, për barazi para ligjit, për më shumë vende pune dhe për lëvizje pa viza”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.