Hoti: Pensionet e veteranëve u siguruan vetëm kur LDK drejtoi qeverinë
Kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Drenas se vlerat e luftës nuk duhet të përdoren vetëm për të ardhur në pushtet.
“Vlerat e luftës çlirimtare që janë krijuar këtu në Drenicë ata i njohin vetëm për të marrë pushtet prej votave tuaja. Ne i kemi çmuar dhe do t’i çmojmë gjithmonë këto vlera. Vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës e mori drejtimin e qeverisë, u siguruan pensionet për veteranët e luftës”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se Drenica, ashtu sikurse e gjithë Kosova, ka nevojë për një qeverisje të mirë e me duar të pastra, për një qeverisje që nuk shantazhon dhe nuk shantazhohet.
“Kosova ka nevojë për frymëmarrje të lirë. Që të zhvillohet ekonomikisht, të krijojë perspektivë për rininë e saj të mrekullueshme dhe të bëhet vend me të cilin krenohen qytetarët e saj dhe miqtë euro-atlantikë të saj. Drenica do të ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë që unë do të drejtoj. Përmes Ligjit për Investime Strategjike, në Drenicë do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja”, ka pohuar Hoti.
Ai është zotuar se rinisë së Drenicës do t’ia kthejmë shpresën.
“Sapo t’i kryejnë studimet, ne do t’u garantojmë 1 vit përvojë pune me pagesë. Ata pastaj do të jenë kuadrot që do të punojnë nëpër bizneset që do të hapen përmes investimeve të shqiptarëve apo investimeve të huaja”, ka deklaruar Hoti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.