Huaja e BERZH për rrugët – FSHZH: 140 aplikime nga bashkitë, ja kriteret për përzgjedhjen e fituesve
140 aplikime kanë mbërritur pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për financimin e rindërtimit të segmenteve rrugore, përmes një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një vlerë totale prej 50 mln dollarësh. Marrëveshja e huasë aktualisht po diskutohet në komisionet parlamentare, ndërkohë që pas fazës së aplikimeve, që tashmë ka përfunduar pritet nisja e fazës së dytë që ka të bëjë me listimin e aplikimeve mbi bazën e një sistemi kriteresh dhe pikëzim. Sipas menaxherit të projektit, Ermir Omari rrugët do të përzgjidhen mbi bazën e disa kritereve kryesore, që kanë të bëjnë me turizimin, agrikulturën, trafikun apo numrin e popullsisë.
“I është bërë thirrje 61 njësive vendore të qeverisjes për të sjellë segmentet e tyre prioritare, do me thënë që paraqesin bashkitë për investim. Është marrë një listë me rreth 140 rrugë dhe këto kanë rënë në njësitë të cilat kanë pasur si kriter turizmin, agrikulturën, numrin e popullsisë dhe trafikun në zonë”, tha Omari.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri me dije për TV SCAN se aktualisht ende nuk ka përfunduar procesi i rankimit, por ajo që vihet re është se një pjesë e mirë e projekteve për të cilat bashkitë kanë aplikuar përfshihen në programet e qeverisë për zhvillimin rural dhe programin 100 fshatrat. Në total janë 55-60 km rrugë që do të financohen nga kjo hua dhe përfitimi i llogaritur është rreth 80,000 banorë Me t’u bërë efektive marrëveshja do të fillojë puna në terren për zbatimin e investimeve, ndërkohë që periudha më e afërt është tetor – nëntor 2018.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.