Huamarrja dhe borxhet e bashkive
Nga Dr. Sorina Koti
Huamarrja dhe borxhet e bashkive janë dy nga pikat më kritike të menaxhimit publik edhe pse jo pak të diskutuara në debate publike. Borxhet e pushtetit vendor duhet të merren në konsideratë nga politikë-bërësit pasi zhvillimi apo rrenimi ekonomik i një vendi fillon nga njësitë administrative vendore.
Gjatë këtyre 27 viteve politikat vendimmarrëse janë orientuar kryesisht nga qendra drejt bazës. Planet strategjike janë hartuar si të vetme në plan kombëtar, ku fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur thjesht në letër. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë do të ishte më i qëndrueshëm në rast se, prioriteti në menaxhimin e fondeve për zhvillim do të ishte orientuar drejt njësive vendore, duke sjellë një decentralizim financiar dhe politikë-bërje reale lokale.
Konsiderimi mbi specifikat zhvillimore ekonomike të rajoneve, shoqëruar me evidentimin e diferencave social-kulturore, do të ishin një bazë solide për vendimmarrje lokale reale dhe politika zhvillimore kombëtare, në përputhje me prioritetet rajonale të evidentuara.
Nga të dhënat statistikore tregohet se të ardhurat vendore të bashkive nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat për shpenzime. Gjithashtu, mungesa e të ardhurave penalizon bashkitë edhe në proçesin e huamarrjes nga bankat e nivelit të dytë, pasi nuk plotësojnë kriteret për shlyerjen e kredive, ndërkohë që për çdo huamarrje vendore garant financiar duhet të jetë Ministria e Financave.
Periudha Qershor-Korrik është koha kur fillojnë të hartohen projekt-buxhetet e bashkive për vitin pasardhës. Ky proçes kërkon bashkërendimin e të dhënave statistikore, mjeteve monetare, granteve qeveritare, projekteve nga pushteti qëndror dhe ai lokal, por edhe një analizë të plotë të fuqisë kredimarrëse dhe kredipaguese të bashkive, në raport me zerat e investimve të parashikuara, për t’u realizuar me fonde të marra kredi nga sistemi bankar.
Pas miratimit të Ligjit nr. 9868 dt. 4.2.2008 “Për Huamarrjen vendore”, konstatohet se vetëm 6 bashki kanë marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë. Polemizues është fakti i përputhjes ose jo të prioriteteve për investim të gjykuara nga publiku, në raport me vendimmarrjen e bashkive për të investuar në projekte zhvillimore lokale kredinë e marrë.
Paralelisht, ky proçes duhet të paraprihet nga dëgjesa reale me publikun dhe votuesit, marrje në konsideratë të shqetësimeve të tyre në investimet nga bashkitë, duke i dhënë vendimmarrjes më shumë demokraci dhe përfshirje drejt një modeli të besueshem të ‘buxhetimit me pjesëmarrje”.
Fatkeqësisht, konstatohet se dëgjesat dhe diskutimet me publikun mungojnë dhe nuk ka transparencë për shpenzimet e kryera nga bashkitë, pavarësisht nga origjina e fondeve të investuara. Informimi i publikut në lidhje me kredinë e marrë nga banka, kushtet dhe destinacionin e investimit, për fondet e marra kredi nëpërmjet sistemit banker, është minimal ose inegzistent.
Gjithashtu, konstatohet se, duke konsideruar riskun e rotacionit politik, bashkitë priren për të maksimizuar dhe shpesh-herë tejkaluar aftësinë e tyre kredipaguese, duke përdorur kredinë e marrë në investime brenda manadatit zgjedhor, ndërkohë, që afatet për pagimin e kredisë shkojnë përtej një mandati elektoral. Kjo sjell si pasoje kufizime investuese në planin afatshkurtër dhe afatmesëm për drejtuesit e bashkisë së re, penalizim në kredimarrje të re, disiplinë më të fortë financiare në mbledhjen e të ardhurave nga bashkite dhe penalizim të taksapagueseve lokale me taksë shtesë.
Tabela tregon jep regjistrin e kredive dhe nivelin e kreditimit
Ndërsa grafikët më poshtë tregojne nivelin e humarrjes nga viti 2010 deri më sot, si dhe shpenzimet për interesa gjatë dy viteve të fundit.
Shpenzime për interesa T4, 2016
Shpenzime per interesa T4, 2017
Të dhënat e mësipërme konfirmojnë shpenzimet e larta për huamarrjen si dhe pamundësinë e bashkive për shlyerjen e tyre, pasi të ardhurat e tyre nuk i mbulojnë dot shpenzimet. Rritja e nivelit të shpenzimeve për huamarrjen ka shkaktuar edhe rritjen e taksave dhe tarifave vendore (në pjesën më të madhe të bashkive +30% e lejuar nga ligji). Gjithashtu, mungesa e fondeve ka rritur edhe borxhin e bashkive ndaj të tretëve (shpenzime për investime kapitale, shërbime, vendime gjykatash etj.) Këto borxhe kapin vlerën e 280 milion USD, të krijuara kryesisht gjatë dy viteve të fundit. Borxhi i bashkive zë mesatarisht 2% të PBB dhe i shtohet borxhit publik. Kjo do të thotë, që nëse nuk kontrollohen borxhet e bashkive, shumë shpejt buxheti i shtetit do ketë shtesë edhe një barrë të rëndë vendore.
Çështja qëndron në reagimin e vonuar të Ministrisë së Financave, pasi ky është institucioni që “legjitimon” huamarrjen dhe krijimin e borxheve të bashkive. Përveç faktit se bashkitë kanë vështirësi financiare, për shkak të moszbatimit të plotë të decentralizimit fiskal, Ministria e Financave është përgjegjësja kryesore për ngërçin financiar, që po kalojnë bashkitë.
Bashkitë janë të varur nga pushteti qendror me anë të transfertës së pakushtëzuar, transfertës së kushtëzuar dhe FZHR-së. Ministria e Financave duhet të konsiderojë mjetet për shlyerjen e borxheve të akumuluara të bashkive, pasi këto borxhe rëndojnë në xhepat e qytetarëve dhe bizneseve kontraktuese nga bashkitë. Sa më shumë të thellohet ky borxh, aq më shumë do rriten taksat dhe tarifat lokale, të cilat reflektohen në Paketat fiskale.
Është koha e duhur që Ministria e Financave dhe pushteti vendor të rakordojnë shpenzimet dhe të ardhurat, në mënyrë që borxhi të mos thellohet për vitin e ri fiskal 2019, ku priten edhe rritje të ndjeshme shpenzimesh dhe përfundime investimesh si konsideratë e një viti elektoral.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.