Huamarrja e brendshme – Sistemi bankar mban peshën kryesore
Lëvizjet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, si dhe për të “zbutur” sadopak risqet, ka bërë që qeveria shqiptare të orientojë huamarrjen drejt tregut vendas. Kështu referuar treguesve zyrtarë të borxhit publik, vihet re se peshën kryesore e mban huamarrja e brendshme.
Nga i gjithë stoku i huamarrjes publike, i cili në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ishte 1 trilion e 87 miliardë lekë, pjesën më të madhe e mban huamarrja e brendshme, e cila kap vlerën e 577 miliardë lekë.
Ndërsa borxhi i jashtëm në fund të vitit rezulton të jetë në shifrën 510 miliardë lekë. Duke parë dhe ndarjen e huamarrjes se brendshme vihet re se sistemi bankar mban dhe peshën kryesore me 60.96 %, ndërsa institucionet financiare jo bankare zënë 14.97 % të këtij borxhi.
Gjithashtu individët zënë një peshë jo të vogël në nivelin e huamarrjes qeveritare më 14.86 %, ndërsa Banka Qendrore ka një peshë prej 7.94 % të këtij borxhi.
Borxhi publik ka zbritur në 69.92 të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit të kaluar, ndërkohë që në buxhetin e këtij viti, vetë qeveria parashikonte që borxhi të ulej në jo më pak se 69.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka tregon se financat publike po ruajnë stabilitet.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.