Huamarrja e qeverisë – 31 miliardë lekë për muajin prill, tregu përgjigjet mirë
Qeveria shqiptare ka zhvilluar një huamarrje intensive gjatë muajit prill. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm gjatë këtij muaji në tregun e brendshëm financiar janë marrë rreth 31 miliardë lekë hua përmes emetimit të bonove dhe obligacioneve. Shuma përfshin edhe rifinancim të borxhit ekzistues, por në pjesën më të madhe bëhet fjalë për huamarrje të re dhe në përgjithësi, tregu i është përgjigjur mirë kërkesës së qeverisë për financime.
Investitorët kanë shfaqur më shumë interes në blerjen e obligacioneve, që sigurojnë kthime më të larta nga investimit, ndërsa për titujt e borxhit afatshkurtër kërkesat për blerje në ankande kanë qenë më të ulëta.
Sistemi bankar, që është financuesi kryesor i borxhit qeveritar, paraqitet mjaft likuid dhe kjo ka siguruar një ecuri optimale të huamarrjes së brendshme. Banka e Shqipërisë që prej muajit të kaluar ka nisur furnizimin e pakufizuar të tregut me likuiditet, duke akomoduar nevojat afatshkurtra të sistemit bankar.
Në kushtet kur kriza e Covid 19 pritet të japë një efekt negativ në ecurinë e kredisë për sektorin privat, titujt e qeverisë ngelen alternativa kryesore e investimit.
Për të shfrytëzuar likuiditetin e lirë në tregun bankar, qeveria këtë muaj organizoi edhe një ankand të huamarrjes në euro përmes blerjes së obligacioneve dyvjeçare. Ashtu siç pritej, kërkesa e shtuar e qeverisë për financime ka sjellë një rritje të lehtë të normave të interesit gjatë muajit prill. Bonot 3 mujore u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.3%, bonot 12 mujore me një yield 2.16%, ndërsa obligacionet dyvjeçare me një kupon prej 2.55%.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.