Huawei, optimiste mbi sanksionet: “Veprimi i SHBA do na dëmtojë më pak nga sa mendonim”
Gjiganti kinez i aparatëve celularë inteligjentë, Huawei në një deklaratë për mediat sqaron se, sanksionet tregtare që vendosën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj kompanisë kanë pasur një impakt negativ më të vogël se pritshmëritë.
Madje, kompania shton se është tërësisht e përgatitur për të jetuar dhe punuar me sanksionet amerikane mbi shpinë. Biznesi 100 miliardë dollarësh i Huawei u godit kështu rëndë nga mëria e Washingtonit zyrtar në muajin Maj, kur prodhuesi i dytë më i madh i celularëve në botë u vendos në listën e zezë të SHBA, që i ndalonte kompanive amerikane çdo lloj bashkëpunimi me kompaninë.
Në një vlerësim paraprak të sanksioneve amerikane, kreu i kompanisë, në Qershor, deklaronte se dëmi do të ishte në 30 miliardë dollarë vetëm këtë vit.
“Duket se do të jetë më pak se aq, por duhet të presim rezultatet e sakta deri në muajin Mars”-deklaroi Zv/Presidenti i kompanisë në një konferencë për shtyp mbi prezantimin e çipeve të reja të inteligjencës artificiale.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.