“Hulumtimi” i Odës Ekonomike të Kosovës, ministri Hoti: Bizneset do të rrisin punësimin 3 mujorin e ardhshëm
Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim dhe me financimin e GIZ ka kryer një hulumtim për klimën e të bërit biznes, ku sot kanë paraqitur edhe rezultatet e tij , sipas të dhënave nga vetë bizneset. Lajmi është dhënë nga ministri i Financave në Kosovë, Avdullah Hoti, në rrjetin social Facebook ku ndër të tjera shkruan se “Rezultatet e hulumtimit nga OEK, të financuar nga GIZ, konfirmojnë në mënyrë të pakontestueshme se:
– 61% e bizneseve vlerësojnë se ambienti për biznes është përmirësuar, krahasuar me 36% sa kanë qenë në dhjetor 2014;
– përqindja e bizneseve të pakënaqura është përgjysmuar nga 30% ne 15%;
– 41% e bizneseve do të rrisin punësimin në tremujorin për vijim, krahasuar me 16% sa kanë qenë në dhjetor 2014;
– bizneset i besojnë shumë më tepër Qeverise krahasuar më dhjetor 2014”, shkruan Hoti.
Sipas tij, të gjitha bizneset bëjnë thirrje për zbatim të paketës fiskale.
“Ne takimin me bizneset në OEK të Kosovës ju premtova se pakoja fiskale do të zbatohet në javët e para të mandatit të ri qeverisës”, theksoi Hoti.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.