Humbën punën dhe filluan biznes – Mbi 20 mijë individë lënë firmat private, vetëpunësohen rreth 54 mijë
Pandemia Covid 2019 ka sjellë ndryshime të mëdha për individët dhe bizneset në tërësi, ku shumë qytetarë humbën vendet e punës për shkak të vështirësive financiare me të cilat u përballën firmat private dhe ndërkohë gjetën alternativa të reja për të mbijetuar. Kështu, pot të bëjmë një analizë të detajuar të të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vihet re se në gjysmën e parë të këtij viti, ka pasur një rënie të theksuar të kontributeve nga firmat private, krahasuar me 6-mujorin 2020, ku rreth 20.700 individë rezultojnë të kenë dalë nga listë-pagesat e kompanive private, duke humbur rrjedhimisht vendet e punës.
Konkretisht në Janar-Qershor 2020, 391,633 kontribuues nga firmat private, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti rezultojnë 370.882 kontribuues. Nga ana tjetër, duket se është rritur ndjeshëm kontributi i të vetëpunësuarit, çka tregon se një pjesë e mirë e qytetarëve që kanë humbur vendet e punës, janë vetëpunësuar. Kështu, rezulton se në gjysmën e parë të vitit listës së kontributeve nga të vetë-punësuarit, i janë shtuar 54,242 qytetare. Konkretisht në Janar-Qershor 2020 rezultonin 79.632 kontribuues të vetëpunësuar, ndërsa në Janar-Qershor 2021 rezultojnë 133.874 individë që kanë derdhur kontribute shoqërore.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.