Humbjet e energjisë, FMN: Objektivat nuk janë arritur plotësisht

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ulja e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet ishte një objektiv i parealizuar sipas afateve në programin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Në raportin e fundit për vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vë në dukje se në fund të muajit nëntor 2016, humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike ishin 27.7%, nga 25.2% që ishte objektivi në programin e bashkëpunimit.
Në fakt, FMN vazhdon ta vlerësojë reformën në sistemin energjisë si një ndër më të suksesshmet e ndërmarra nga qeveria shqiptare, por, megjithatë, jo çdo gjë po ecën me hapin e duhur. Sipas FMN, dështimi për të arritur objektivat në uljen e humbjeve lidhet sidomos me vonesën e investimeve që do të ulnin humbjet teknike, si, për shembull, projektet për përmirësimin e linjave të shpërndarjes dhe të matjes së energjisë.
Pas aksionit të nisur dy vjet më parë, OSHEE ka arritur rezultate të kënaqshme në uljen e humbjeve të energjisë nga vjedhjet, por, pjesa e humbjeve teknike po rezulton më e vështirë, për shkak të nevojave të mëdha për investime. Objektivi i qeverisë shqiptare është ulja e humbjeve të energjisë pranë nivelit 14% brenda vitit 2019. Sistemi energjetik ka qenë një ndër burimet kryesore të rreziqeve për buxhetin, ndaj si i tillë ishte pjesë e rëndësishme e programit të bashkëpunimit me FMN.
Gjithashtu, një tjetër objektiv jo plotësisht i arritur ishte shmangia e detyrimeve të prapambetura. Në testimin e fundit të kryer nga FMN, në tetor 2016, shuma e detyrimeve të prapambetura arrinte në 3.3 miliardë lekë. Megjithatë, qeveria shqiptare ka bërë të ditur se në fund të vitit 2016, pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve është shlyer dhe vlera totale ka rënë poshtë 1 miliard lekëve, aq sa është objektivi tavan i dakordësuar me FMN.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.