Humbjet e energjisë në rrjet – ERE: Për 4-mujorin humbi 23.91% e energjisë së shpërndarë

Niveli i humbjeve të energjisë në sistemin e shpërndarjes u shënua në 23.91% për 4-mujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një përkeqësim në raport me vitin 2020, që u mbyll me një nivel humbjesh në masën 21.48%. Megjithatë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është shënuar një rënie e tyre, pasi në periudhën janar-prill 2020, humbjet përbënin 24.34% të energjisë së shpërndarë në rrjet.
Të dhënat janë raportuar nga Enti Rregullator i Energjisë, duke mbajtur parasysh edhe energjinë totale në rrjet, që sivjet ka qenë më e madhe se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërkaq, edhe Instituti i Statistikave në vend raportoi një rritje të humbjeve të energjisë elektrike në rrjet, që sipas këtij dikasteri u rritën me 7.7% gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e INSTAT përfshijnë edhe humbjet në rrjetin e transmetimit, ku edhe u vu re rritja më e madhe e më konkretisht me 43.9%.
Për 3-mujorin, humbjet teknike në shpërndarje, të cilat shkaktohen si pasojë e rrjeteve të amortizuar u rritën me 8,1%, ndërsa humbjet joteknike, ku përfshihen dhe vjedhjet e energjisë kanë shënuar një rënie me 2,6%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020. Reduktimi i humbjeve në rrjet kërkon investime, duke zëvendësuar rrjetet e amortizuar me linja të reja të transmetimit dhe shpërndarjes.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.