Humbjet e energjisë në rrjet – ERE: Për 8-mujorin humbi 21.3% e energjisë së shpërndarë, 2.2% në transmetim

Niveli i humbjeve të energjisë në sistemin e shpërndarjes arriti në 21.3% për 8-mujorin e këtij viti, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periduhë të 2020-ës, ku 21.48% e energjisë së shpërndarë humbiste në rrjet. Të dhënat janë raportuar nga Enti Rregulaltor i Energjisë, ndërkohë që sa i takon humbjeve në sistemin e transmetimit, ato kanë mbetur në nivele të pandryshuar. Sipas këtyre të dhënave për periudhën janar-gusht 2.21% e energjisë së transmetuar humbi në rrjet.
Ndërkaq, sipas INSTAT humbjet e energjisë në rrjet shënuan rritjen më të ndjeshme në 3-mujorin e dytë të këtij viti, në raport me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave, humbjet arritën vlerën 400 Gëh nga 310 Gëh, duke shënuar kështu një rritje me 29%. Në përkeqësimin e këtij treguesi kanë ndikuar si humbjet në rrjetin e transmetimit, ashtu edhe në atë të shpërndarjes. Sipas INSTAT, humbjet e energjisë në transmetim janë rritur me 61,5% ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 24,6 %.
Gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare humbjet teknike në shpërndarje, ku futen humbjet për shkak të rrjetit të amortizuar kanë shënuar një rritje me 25,5 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje, ku përfshihen vjedhjet kanë shënuar një rritje me 22,9 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020. Reduktimi i humbjeve të energjisë në rrjet kërkon investime, por zyrtarisht Operator ii Sistemit të Shpërndarjes ka pohuar se shpenimet për blerje energjie si pasojë e thatësirës në vitet e fundit ka çuar në mungesë të investimeve të planifikuara për transformimin e rrjetit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.