Hungarezët blejnë “Albtelecom” – Me këtë transaksion, kompania 4iG synon shtrirjen në Ballkanin Perëndimor
Kompania hungareze 4iG njoftoi se po zgjeron portofolin e saj të telekomunikacionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas arritjes së një marrëveshje përfundimtare për të blerë 80.27% të aksioneve në ALBtelecom nga Cetel Telecom, një degë, ku shumica e aksioneve është në pronësi të Çalik Holding të Turqisë. Shteti shqiptar do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat e tij të pronësisë minoritare në kompani nëpërmjet Ministrisë Shqiptare të Financave dhe Ekonomisë (13.78%) dhe Postës Shqiptare (2.47%).
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë hungareze, aksionet e ALBtelecom do të përvetësohen nga 4iG në një transaksion me shumë hapa, i cili do të mundësojë që Çalik Holding, një nga konglomeratet më të mëdha të Turqisë, të blejë një pjesë prej rreth 3,2% në grupin hungarez të info-komunikimit, si investitor institucional. Shteti shqiptar mbetet aksioner i përbashkët me 4iG në ALBtelecom. Bashkëpunimi mund të hapë mundësi të mëtejshme biznesi të përbashkëta për Çalik Holding dhe 4iG në Ballkan dhe Azinë Qendrore.
“ALBtelecom është një ofrues telekomunikacioni me potencial të madh rritjeje. Blerja është një hap i rëndësishëm për zgjerimin tonë në sektorin e telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor, i cili mund të hapë mundësi të mëtejshme për ne në tregjet shqiptare të telekomunikacionit dhe IT-së. Ne kemi ardhur në vend si një investitor strategjik, ku duam të jemi prezent në afat të gjatë në ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë për klientët me pakicë dhe korporata. Blerja jonë është një hap i rëndësishëm përmes synimeve tona strategjike dhe ne jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të sektorit shqiptar të telekomit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për dixhitalizimin”, tha Z. Gellért Jászai, Drejtor i Përgjithshëm dhe administrator i 4iG, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Jemi të kënaqur që ALBtelecom do të zotërohet nga një investitor strategjik i përkushtuar ndaj kompanisë. Ky është hapi i parë në zhvillimin e partneritetit tonë strategjik me 4iG Group, i cili mund të ofrojë mundësi të mëtejshme biznesi për të dyja kompanitë tona në të ardhmen”, deklaroi nga ana e tij, Ahmet Çalik, President i Çalik Holding.
ALBtelecom që u themelua në vitin 1912 dhe sot ka 743 punonjës është i pranishëm në të gjitha fushat e telekomunikacionit (televizion, zë fiks, zë celular dhe internet broadband). Vitin e kaluar, kompania arriti një fitim prej 17.4 milionë euro me të ardhura prej 57.9 milionë euro.
Ndërkohë, 4iG është një kompani e lindur në vitin 1995 dhe në portofolin e vet përfshin ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe shërbimeve të lidhura me komunikimet satelitore, sistemet e menaxhimit të proceseve të punës për bizneset, ndërtimit dhe operimin e qendrave të të dhënave, etj. Prej vitit 2004, ajo është e listuar në Bursën e Budapestit, ndërsa aksioneri kontrollues, me 61% të aksioneve, është biznesmeni hungarez Gellért Jászai, njëkohësisht kryetar i Bordit të Drejtorëve dhe Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë.
Për vitin 2020, 4iG raportoi të ardhura totale prej rreth 161 milionë euro dhe një fitim para tatimit, amortizimit dhe zhvlerësimit rreth 14 milionë euro. Në fund të vitit 2020, kompania kishte 924 punonjës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.