Botohet ligji për produktet kozmetike – Ja penalitetet

Ligji për produktet kozmetike do të hyjë në fuqi më 12 prill 2018, çka nënkupton se efektet e tij dhe gjobat do të nisin të aplikohen nga kjo datë. Të gjithë importuesit, shitësit dhe përdoruesit e këtyre produkteve duhet të kenë marrë masat gjatë kësaj kohe, ndryshe përballen me penalitete, të cilat variojnë nga 100 mijë, deri në 1 milion lekë.
Ligji i ri përcakton si subjekte jomjekësore, ato subjekte që ofrojnë shërbimin e aplikimit të produkteve kozmetike. Sipas pikës 3 të nenit 26 specifikohet që nëse produkti kozmetik kërkon përdorim nga një profesionist, këto subjekte duhet të kenë staf të kualifikuar për aplikimin e tyre.
Me fjalë të thjeshta, nëse një sallon kozmetike do të dojë të ofrojë shërbimin e mbushjes së buzëve, stafi që bën aplikimin me këtë produkt duhet të jetë i kualifikuar për këtë detyrë. Kjo vlen për çdo subjekt tjetër jomjekësor që kërkon të ofrojë shërbime të ngjashme.
Shkelja e kësaj pike dënohet me 500 mijë lekë gjobë. Kurse gjobat e tjera janë si më poshtë:
- 500 mijë lekë gjobë dhe konfiskim i produkteve kozmetike, nëse produkti përbën rrezik për shëndetin e njerëzve apo nuk ka paraqitje të dallueshme nga produktet ushqimore, udhëzimet dhe etiketat përkatëse.
- 100 mijë lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk merr masa, nuk bashkëpunon për eliminimin e produktit nëse ai përbën rrezik për konsumatorin.
- 100 mijë lekë gjobë nëse shpërndarësi nuk bën verifikimet e nevojshme për produktin, apo nuk merr masa për një produkt të dëmshëm.
- 1 milion lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk njofton në formë elektronike ministrinë për specifikat e produktit, paketimin, etj.
- 1 milion lekë gjobë dhe konfiskim i produkteve nëse hidhen në treg produkte që përmbajnë substanca të ndaluara.
- 100 mijë lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk njofton inspektoriatin në raste të efekteve të padëshiruara serioze.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.