Hyn në fuqi marrëveshja – Si ndahen rreth 64 mln euro për turizmin në zonën e Jugut

Marrëveshja e huasë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit, ka hyrë në fuqi dhe pritet të vihet në zbatim.
Kosto e realizimit të këtij projekti vlerësohet në 63.8 milionë euro, shumë e cila do të financohet e gjitha nga BNRZH. Rreth 50 milionë euro nga shuma e huasë pritet të shkojnë për punimet që do të kryhen në zonat e jugut, ndërsa pjesa tjetër për mallra, trajnime dhe shërbime konsulence.
Marrëveshja parashikon shlyerjen e huasë brenda një periudhe 25-vjeçare. Projekti për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit është pjesë e parashikimeve të programit buxhetor afatmesëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Qeveria shqiptare ka përcaktuar rajonin bregdetar zonën Vlorë-Sarandë, si dhe zonën më në brendësi Berat-Gjirokastër-Përmet, si një rajon prioritar që mbart potenciale konkrete si nga ana e peizazhit, ashtu edhe nga ana e aseteve të trashëgimisë kulturore – për të zhvilluar turizmin si një shtysë për të nxitur rritjen ekonomike rajonale dhe kombëtare.
Bashkitë do të përzgjidhen në bazë të përgatitjes së studimeve paraprake dhe projekteve, duke përfshirë studimet për projektime urbane, kryerjes së punimeve ndërtimore për restaurimin e godinave me vlerë historike, zhvillimit të hapësirave publike, rrjetit rrugor dhe infrastrukturës bashkëshoqëruese.
Pjesa tjetër i investimeve do të përqendrohet në zhvillimin dhe krijimin e zonave të pushimit ose pika turistike, duke riparuar e përmirësuar infrastrukturën e zonave si dhe rrugët për këmbësorë etj.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.