Hyn në fuqi udhëzimi i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – Tatimet shpjegojnë ndryshimet për çdo kategori

Kanë hyrë në fuqi shtesat dhe ndryshimet në udhëzimin për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.” Drejtoria e Përgjithshme e Tatime përmes informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të saj, njeh tatimpaguesit me ndryshimet kryesore që janë bërë në këtë udhëzim. Më konkretisht, shkallët tatimore janë në masën:
- 6% për furnizimet e shërbimit të reklamave nga media audiovizive;
- 6% për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me kapacitet 9+1 vende ose me shumë, me motor elektrik, deri në 31/12/2021. Nga data 1/1/2022 shkalla tatimore bëhet 10%.
- 6% për furnizimin e librave të çdo lloji.
- Për nënkontraktorët e Regjimit të Përpunimit Aktiv:
Aplikohet shkallë tatimore 0%, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, nga personat e tatueshëm të autorizuar dhe nënkontraktorët e tyre, mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacionet nën regjimin e përpunimit aktiv. Për zbatimin e saktë të procedurave të regjimit të përpunimit aktiv, subjektet (kontraktori dhe nënkotraktori) duhet t’i referohen germave b) dhe c) të pikës 1 në nenin 48 të udhëzimit.
Ndërsa, për fermerët :
- Aplikohet norma prej 6%, për kompensimin e tyre.
- Po ashtu, sipas DPT-së listës së përjashtimeve nga TVSH-ja i shtohen:
- furnizimi i makinave bujqësore;
- furnizimi i inputeve bujqësore;
- furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake;
- importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave
Lista e inputeve dhe lëndëve të para për prodhimin e barnave është e publikuar në VKM nr. 953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.