“I sëmuri ndërpret ilaçet” – BIS paralajmëron për heqjen e stimujve nga bankat qendrore kryesore
Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare bëri të ditur në raportin e fundit se tregjet financiarë duhet të përgatiten për një valë të gjatë të trazirave, ndërkohë që bankat qendrorë më të mëdha në botë përfundojnë stimujt monetarë dhe rrisin normat e interesit.
Ndërkohë që një dekadë ka kaluar nga kriza financiare globale, institucioni që shërben si drejtues i Bankave Qendrore, e përshkroi situatën që pritet të ndodhë në tregje si dikush që ka ndërprerë medikamente tejet të forta.
Në të ardhmen e afërt priten trazira ndërkohë që Rezerva Federale në SHBA pritet të vazhdojë rritjen e interesave, rreziqet tregtare përshpejtohen, Banka Qendrore Europiane përfundon programin e printimit të parasë dhe tregjet në zhvillim duhet të ndjekin me ciklin tkurrës monetar.
Shitja nën panik në fund të këtij Janari ka qenë ekuivalente me atë që ndodhi 5 vite më parë kur Rezerva Federale ndërpreu programin e blerjes në treg të hapur.
Atëherë, tronditja në tregje ishte e shkurtër, por Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare bëri të ditur se këtë herë, efekti do të jetë më i gjatë dhe mund të rezultojë në një recesion.
Bankat Qendrore pritet të veprojnë me kujdes. Përfundimi i programit të blerjes së borxhit prej 2.5 trilionë euro i Bankës Qendrore Europiane do të amortizohet, ndërkohë që riciklon fitimet prej vitesh, ndërsa Banka e Japonisë është ende shumë mbrapa në objektivat e veta.
Një tjetër burim shqetësimi është rritja e çmimit të aktiveve, ndërkohë që aksionet në Wall Street kanë arritur nivele rekord historik.
Institucioni në Bazel paralajmëroi për borxhin gjigant në dollarë që mbahet nga tregjet në zhvillim.
Valutat e këtyre vendeve kanë rënë si domino ndërkohë që dollari është rritur prej normave më të lartë të interesit në SHBA. Huadhënia në dollarë drejt tregjeve në zhvillim përjashtuar bankat, është dyfishuar që prej krizës financiare në 3.7 trilionë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.