IIF mbi borxhin global – Shënon $215 trilionë në total për 2016, prej tregjeve në zhvillim

Instituti për Financat Ndërkombëtare (IIF) raporton se borxhi global është rritur në 325% të Produktit të Brendshëm Bruto botëror në 2016-ën, duke arritur një total prej 215 trilionë dollarë. Kjo është nxitur kryesisht nga rritja e shpejtë e emetimeve në tregjet në zhvillim.
Borxhi global u rrit me 7.6 trilionë dollarë në vitin 2016, krahasuar me vitin e kaluar. Borxhi i ekonomive në zhvillim pati një rritje spektakolare në 2016-ën, duke prekur 55 trilionë dollarë në total, që është ekuivalent me 215% të Produktit të Brendshëm të tyre.
Sipas raportit, borxhi në këto vende është nxitur nga kompanitë jo-financiare. Tregjet në zhvillim kanë emetuar borxh të ri me një vlerë prej 40 trilionë dollarë ndërmjet viteve 2006-2016, që përbën një përshpejtim gjigant nga 9 trilionë dollarë që kanë shtuar në dekadën e mëparshme (1996-2006).
Në 2016-ën, borxhi total i akumuluar i ekonomive të zhvilluara, arriti në 160 trilionë dollarë, në 390% të Produktit të Përgjithshëm të kombinuar të këtyre ekonomive. Raporti i Institutit të krijuar nga 38 banka në vitin 1983, zbuloi se një pjesë e madhe e borxhit në ekonomitë e zhvilluara, apo 32 trilionë dollarë, është nxitur kryesisht nga Qeveritë, ndërkohë që borxhi i sektorit publik në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar është dyfishuar nga viti 2006.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.