IKMT kalon te Ministria e Brendshme Gjobat e reja: miliona lekë për gërmimet, inertet, guroret, linjave telefonike, elektrike apo hapja e rrugëve
Kalimi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit nën Ministrinë e Brendshme është shoqëruar me ashpërsim të gjobave e penaliteteve për të gjitha subjektet që operojnë në fushën e inerteve, guroreve, apo edhe punimeve infrastrukturore. Scan Televizion ka zbardhur vendimin e Qeverisë që përcakton vlerën e dëmit të shkaktuar në zonat e mbrojtura mjedisore, e cila përbëhet nga dëmi i shkaktuar dhe kostot e riparimit të dëmit, e të rehabilitimit të zonës e të kthimit të saj në gjendjen e mëparshme, si dhe administrimin e vlerës monetare të zhdëmtimit nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Kryerja e gërmimeve ose punimeve të tjera për nxjerrjen e gurëve, rërës, zhavorrit, dheu, humusit, plisave të barit e të tjera si këto do të gjobiten me 8 mijë lekë për metër kub. Do të mjaftojë hapja e gropave dhe mos mbulimi i tyre që subjektet të gjobiten 5,200 lekë, ndërkohë që edhe shkulja pa leje e cungjeve të prerë do të penalizohet me vlerën 30 mijë lekë.
Hapja pa leje e guroreve apo karrerave do të gjobitet me 50 mijë lekë për metër katror. Ndërkaq, hapja e rrugëve, linjave telefonike, telegrafike, televizive, gazsjellëse, naftësjellës, kanaleve, linjave të tensionit të lartë, ujësjellësve e të tjera të kësaj natyre, pa miratimin përkatës do të përballen me faturën e kripur prej 60 mijë lekë për metër kub.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.