Ikona britanike e automobilizmit shkon në Azi – Mini do të prodhohen tashmë në Kinë

Gjigandi i automjeteve BMW po punon në një marrëveshje që do të transferojë prodhimin e markës ikonike Mini në Kinë për herë të parë.
Kompania gjermane po diskuton outsourcing e këtyre veturave tek “Great Wall Motor Co.”, prodhuesi më i madh në Kinë i fuoristradave, si edhe eksportin e mundshëm të Mini në këtë treg.
Të pyetura për komente, BMW refuzoi të kthente përgjigje, ndërsa një zëdhënës i Great Wall tha vetëm se kompania do të nxjerrë një njoftim zyrtar më vonë.
Kompania Great Wall është themeluar nga miliarderi Wei Jianjun dhe është shndërruar shumë shpejt në prodhuesit kryesor të fuoristradave, duke ofruar modele me shumë hapësirë dhe me çmime më të lira se veturat e prodhuesve të huaj si Volkswagen apo General Motors.
BMW shiti mbi 230 mijë makina Mini në të gjithë botën gjatë 8 muajve të parë të vitit. Teksa kjo kompani ka një sipërmarrje të përbashkët për të ndërtuar makina në Kinë me “Brilliance China Automotive Holdings”, Great Wall nuk ka asnjë partner prodhues në Kinë.
Së fundmi Great Wall po planifikon edhe nisjen e prodhimit në SHBA. Spekulimet në median lokale për lidhjen me BMW i rriti aksionet e kompanisë me 14%, duke detyruar ndërprerjen e shitjeve. Vitin e fundit, kompania nuk ka mundur të mbajë ritmin në tregun e bursave me disa prej rivalëve lokalë, aksionet e të cilëve janë rritur mbi 100% në vitin 2017.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.