Impianti fotovoltaik lundrues mbi Vaun e Dejës, Beci: Së shpejti hapim garën
Së shpejti, Shqipëria do të hapë garën për ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues në sipërfaqen e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kjo njoftohet nga kreu i Koorporatës Elektroenergjetike Benet Beci.
Projektet e impianteve fotovoltaik lundrues, vitet e fundit gjithmonë e më shumë po marrin zhvillim edhe për vetë faktin se kanë impakt minimal në mjedis dhe mbi të gjitha nuk shoqërohet me kërkesë për sipërfaqe toke.
“Në kuadër të diversifikimit të burimeve gjeneruese të energjisë elektrike, KESH në bashkëpunim me BERZH është duke përgatitur një projekt të tillë, që konsiston në ndërtimin e një ishulli fotovoltaik lundrues mbi sipërfaqen e rezervuarit pranë Hec Vau Dejës.
Ky impiant fotovoltaik lundrues do të ketë një kapacitet të instaluar prej 12.9 MWp dhe prodhimi mesatar vjetor parashikohet të jetë 18500 MWh që e bën dhe projektin e parë në llojin e vet që zhvillohet në vendin tonë por edhe në rajon” shkruan Beci në një postim në rrjetet sociale.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka financuar 100% fazën studimore të këtij projekti nëpërmjet një granti, duke angazhuar në këtë proces ekspertizën më të mirë ndërkombëtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.