Importet do sigurojnë dimrin – Raporti për 2018/2019: Projektohet mjaftueshmëri energjetike
Dimri i këtij viti projektohet i sigurte nga ana e mjaftueshmerisë energjetike, thonë parashikimet më të fundit të rrjetit europian të operatorëve të transmetimit, ku në analizë merret edhe Shqipëria. “Mjaftueshmëria e rrjetit do të përmbushet nga gjenerimet hidrike si dhe nga importet”-thotë raporti në pjesën dedikuar Shqipërisë.
Ndër të tjera mes rreshtave thuhet gjithashtu se, gjatë viteve të fundit varësia e sistemit nga importet ka rënë ndjeshëm, si pasojë e shtimit të kapaciteteve të instaluara por edhe si pasojë e rënies së kërkesës.
Sa i përket rrjetit të transmetimit, raporti projekton kapacitete të mjaftueshme për të përballuar importet dhe eksportet ndër-kufitare. Në tërësinë e tij, dimri i këtij viti nuk parashikohet problematik. Por nga ana tjetër, shifrat tregojnë se, i gjithë dimri, me përjashtim të javës së fundit të stinës, atë që i takon muajit Mars, do të ketë importe.
Ky parashikim vlen vetëm për kushtet ekstremë të motit. Në kushte normale, parashikohet që 8 nga 18 javë që ka stina e dimrit, të mos ketë nevojë për të importuar. Pra, vendi ynë e ka të pamundur të plotësojë nevojat pa ndihmën e importeve, gjatë stinës së ftohtë në kushte ekstreme, kur edhe nevoja për energji elektrike prek majat. Këtë e tregon qartë grafiku, ku nevoja për import ilustrohet me vlerat në territor negativ.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.