Importi i energjisë elektrike – KESH shpall tenderin, afati deri më 29 gusht
Koorporata Elektroenergjitike shqiptare ka hapur tenderin për importin e energjisë elektrike, pak ditë pasi banka botërore i autorizoi përdorimin e kredisë 22.4 milionë dollarë për blerje të energjisë. Kompanitë e interesuara kanë afat deri në 29 gusht për të paraqitur ofertat e tyre.
Referuar kërkesë-ofertës zyrtare, nga data 1 deri më 30 qershor, KESH do të blejë 129 mijë e 600 megavat energji. KESH duhet të sigurojë vetëm një pjesë të energjisë nga importi për shtatorin, në mënyrë që të garantohet tërësisht konsumi në vend.
Ndërkohë, për dy muajt e verës, korrikun dhe gushtin, OSHEE ka paguar 53.6 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Kriteri i preferuar do të jetë çmimi më i ulët i ofruar, referuar kërkesë-ofertës të publikuar në faqen e internetit të KESH.
Financimi prej 22.4 milionë euro është pjesë e kredisë prej 150 milionë euro të dhënë nga Banka Botërore në vitin 2014, për të financuar reformën në sektorin energjetik të vendit.
Javën e kaluar, qeveria shqiptare rriti fondin për importin e energjisë me 3 miliardë lekë, ose 26.7 milionë dollarë, në totalin e 4.5 miliardë lekëve. Për shkak të thatësirës që ka prekur vendin, janë kufizuar ndjeshëm kapacitetet prodhuese në hidrocentralet kryesore në vend.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.