Importuam 176 mln euro produkte në Mars! COVID-19/ Doganat: Furnizimi nga shtetet partnere vijon normalisht
Vendi ynë ka vijuar normalisht shkëmbimet tregtare me vendet partnere përgjatë muajit Mars, pavarësisht situatës së krijuar dhe masave të marra për frenimin e përhapjes së coronavirusit. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, tregojnë se importet janë në nivele optimale, çka do të thotë se nuk do të ketë mungesa ushqimore dhe produktesh të tjera të domosdoshme nëpër supermarkete.
Konkretisht për periudhën 1-14 Mars 2020, janë importuar 149.3 mijë tonë produkte, me vlerë prej rreth 21.5 miliardë lekë apo rreth 176 milionë euro. Shifrat kanë pësuar një rënie të lehtë krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku u importuan 179.7 mijë tonë produkte me vlerë prej rreth 22.6 miliardë lekësh. Rënia në vlerë është me 1.1 miliardë lekë që është e kuptueshme dhe minimaliste në këtë periudhë.
Ndërkaq, shkëmbimet tregtare regjistrohen në vlerën e rreth 33 miliardë lekëve, nga 34.7 miliardë që kanë rezultuar në periudhën 1-14 mars 2019, me një rënie totale prej 1.7 miliardë lekësh. Por përpos importeve që vijonë normalisht, edhe supermarketet shprehen se kanë rezervat e veta, çka bën që furnizimi i qytetarëve gjatë kësaj periudhe të mos rrezikohet.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.