Imuniteti për ata që kanë kaluar Covid-19 / Studimi: Zgjat për të paktën 5 muaj, por mund ta transmetojnë!

Njerëzit që kanë kaluar Covid-19 ka shumë gjasa të kenë imunitet për të paktën 5 muaj, por ka prova se ata që kanë antitrupa, mund të vazhdojnë të mbajnë dhe përhapin virusin, sipas një studimi në Britani tek punonjësit e shëndetësisë. Zbulimet nga shkencëtarët e institutit të Shëndetit Publik në Angli, treguan se riinfektimet tek njerëzit që kanë antitrupa të Covid-19 janë të rralla, me vetëm 44 raste të zbuluara ndër 6,614 njerëz të infektuar më parë në studim.
Megjithatë, ekspertët paralajmëruan se njerëzit që kanë kaluar sëmundjen në valën e parë të pandemisë në fillim të vitit, janë të rrezikuar për t’u infektuar përsëri. Ata paralajmëruan gjithashtu se njerëzit me “imunitet natyror”, të marrë pas infektimit, mund të vazhdojnë të mbajnë koronavirusin në hundë dhe fyt, dhe mund ta kalojnë pa e ditur.
“Shumica e atyre që kanë pasur virusin dhe kanë zhvilluar antitrupa janë të mbrojtur nga riinfektimi, por kjo nuk është totalisht e sigurt dhe nuk e dimë sa zgjat mb mbrojtja. Kjo nënkupton se nëse e keni kaluar sëmundjen, mund të siguroheni se ka pak gjasa për të zhvilluar infeksion të ashpër. Por ekziston rreziku që mund ta merrni dhe transmetoni virusin”- tha Susan Hopklins, këshilluese e lartë tek instituti dhe bashkëautore.
Studimi përfshiu dhjetëra mijëra punonjës të shëndetësisë në Britani, që janë testuar rregullisht që prej muajit Qershor për infeksione të reja të Covid-19, si dhe prezencën e antitrupave. Mes 18 Qershorit dhe 24 Nëntorit shkencëtarët kanë zbuluar 44 riinfektime të mundshme nga 6,614 pjesëmarrës që janë testuar pozitivë për antitrupa. Kjo përfaqëson një normë të mbrojtjes prej 83% nga riinfektimi.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.