Inceneratori i Elbasanit, Gjiknuri: Ka nevojë për më shumë mbetje, të merren masa

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka inspektuar impiantin e djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Qarkun e Elbasanit, ndërsa i ka kërkuar qeverisë dhe autoriteteve lokale të trajtojnë në terma afatgjatë nevojën për mbetje.
Kjo pasi, aktualisht, në këtë impiant depozitojnë mbetjet e tyre urbane pa pagesë Bashkia e Elbasanit, ajo e Cërrikut dhe disa njësi administrative në Qarkut, ndërkohë që kapaciteti i tij është më i madh dhe është llogaritur të mbulojë mbetjet e të gjitha bashkive të Qarkut Elbasan.
“Kuptohet, impianti ka nevojë për më shumë mbetje dhe kjo është një çështje që duhet ta trajtojnë bashkitë por edhe qeveria në terma afatgjatë, pasi problemi i mbetjeve do të jetë një problem serioz për Shqipërinë. Ajo çka duhet tu imponojmë qytetarëve por edhe autoriteteve që duhet të marrin masat është që mbetjet të grumbullohen aty ku duhet të grumbullohen dhe të depozitohen në këtë impiant që ka edhe anën tjetër pozitive që prodhon energji elektrike. Këtu sot u njoha edhe me parametrat e prodhimit të energjisë elektrike dhe ka një funksion të shtuar për publikun, pasi energjia që çlirohet kthehet në energji elektrike dhe kontribuon në rrjetin elektroenergjetik”.
Ministri sqaroi se një impiant i tillë është duke u ndërtuar në Bashkinë e Fierit ndërsa edhe kryeqyteti do të ketë një impiant për të trajtuar mbetjet e veta urbane. Ndërkohë që, ftoi skeptikët të shohin nga afër investimin e Elbasanit.
“Një gjë e ngjashme po ndërtohet në Bashkinë e Fierit për Qarkun e Fierit. Shumë shpejt edhe Tirana po avancon me procesin e saj, e cila është një kontratë krejt tjetër pasi është një kontratë e marrë përsipër plotësisht nga partneri privat ku bashkia paguan një kontribut financiar për volumin e mbetjeve që depozitohen aty. Do të ishte mirë që kushdo që do të ishte i interesuar të vinte e ta vizitonte këtë impiant, ta shikonte me sytë e tij që nuk ka as emetime dhe gjithçka këtu është brenda një procesi teknologjik të mbyllur pa probleme për mjedisin. Pra, le të themi është fjala e fundit e teknologjisë, një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri”.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur ndërtimi i inceneratorëve është konsideruar nga ekspertët si rrezik për ambientit, por edhe për industrinë e riciklimit.
Ndërkohë që, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka deklaruar publikisht se kjo do t’i hapë rrugën importit të mbetjeve, pasi teknologjia e impianteve nuk lejon fikjen e ndezjen e tyre sipas sasisë së plehrave, por ato duhet të djegin 24 orë në 365 ditë të vitit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.