Incidentet me lëndë kimike – Përmbyllet në Shqipëri projekti 2-vjeçar i BE
Përmbyllet projekti 2 vjeçar i BE ‘’EuropeAid’’ për “Reagimin e Strukturave të Përgjigjes së Parë në Incidentet” në vendin tonë. Sipas drejtorit të emergjencave civile Shemsi Prençi stërvitja tregoi se vendi ynë ka kapacitetet për të përballuar emergjencat me lëndë kimike, bakteriologjike, radioaktive dhe nukleare.
“Kjo stërvitje synon që të afrohemi sa më afër realitetit në kuadrin e intensifikimit të terrorizmit në botë, sidomos kërcënimit të përdorimit të armëve të dëmtimit në masë. E konsideroj veten shumë të kënaqur për mënyrën se si u veprua nga gjithë këto struktura, edhe pse nuk ishin në nivelin e përgatitjes, sepse të tjera forca kanë qenë përgatitur për të demonstruar dhe të tjera kanë demonstruar në realitet”, u shpreh Prençi.
Luan Shehu komandant pranë shërbimit zjarrfikës e vlerësoi të realizuar këtë stërvitje e cila u realizua në Kodër Kashar-Rinas. Sipas tij ky operacion tregoi aftësinë reaguese në rastet e incidenteve nga armët e dëmtimit në masë
“Në kuadrin e projektit që financohet nga komuniteti europian, ne zhvilluam një stërvitje të radhës. Kryesisht kjo kishte të bënte me CBRN-në ose mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë dhe kundër luftës që kohët e fundit i është shtuar forcave zjarrfikëse. Se krahas shuarjes së zjarrit, shpëtimit të njerëzve në përmbytje, zjarret në pyje, na është dashur të punojmë fort edhe në këtë drejtim sepse jemi e vetmja strukturë që kemi të gjithë automjetet e nevojshme dhe me kapacitete të mjaftueshme për momentin, që të kryejmë një proces si ai i dekontaminimit”, tha Shehu.
Stërvitja u monitorua nga një ekip i Konsorciumit Rajonal të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Në këtë projekt morën pjesë forcat zjarrfikëse të shërbimit vendor, njësi të Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të Rendit, Njësi të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, mjete nga Agjencia Rajonale e Mjedisit si edhe Njësi speciale nga forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.