Incidenti mes NATO dhe Erdogan – Turqia tërheq ushtarët nga stërvitja në Norvegji

Turqia do të tërheqë nga stërvitja e NATO që po zhvillohet në Norvegji 40 ushtarët që marrin pjesë. Vendimi i Presidentit Rexhep Taip Erdogan vjen pasi emri i tij ishte shfaqur në një listë të armiqve në posterat e stërvitjes. Për këtë incident kanë kërkuar falje zyrtare si aleanca ushtarake edhe Oslo zyrtare.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë pas Shteteve të Bashkuara dhe kufizohet me Sirinë, Irakun dhe Iranin, duke e bërë një aleat shumë të rëndësishëm strategjik për NATO. Por tashmë marrëdhëniet janë copëzuar dhe Ankaraja po i largohet gjithmonë e më tepër aleancës dhe Bashkimit Europian, duke vënë perëndimin në alarm.
Erdogan tha se gjatë stërvitjes në Norvegji ishte shpalosur një “poster armik”, ku në njërën anë ishte shkruar emri i tij, ndërsa në anën tjetër fotoja e themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk. Kjo solli vendimin e menjëhershëm të shefit të forcave të armatosura të Turqisë dhe ministrit për Bashkimin Europian të tërheqin trupat.
“Ata thanë se kanë vendosur të tërheqin trupat dhe kështu do bëjmë. Kështu që u thamë të mod ndalen dhe të vijojnë duke nxjerrë jashtë 40 ushtarët tanë atje”, tha Erdogan gjatë një mbledhjeje me anëtarët e partisë së tij.
Incidentin e ka komentuar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. “Unë kërkoj ndjesë për fyerjen që është bërë. Incidente të tilla jnë rezultat i veprimeve individuale dhe nuk reflektojnë këndvështrimin e NATO”, tha Stoltenberg, i cili është edhe ish kryeministër i Norvegjisë.
Individi i përfshirë, një kontraktor civil i deleguar nga Norvegjia dhe jo punonjës i NATO-s u hoq menjëherë nga stërvitja, ndërsa autoritetet norvegjeze pritet të vendosin mbi një veprim disiplinor.
Në një deklaratë, ministri i Mbrojtjes i Norvegjisë, Frank Bakke-Jensen tha se mesazhi ofendues është publikuar në një rrjet kompjuterik të përdorur gjatë ushtrimeve.
“Mesazhi nuk reflekton pikëpamjet apo politikat e Norvegjisë dhe kërkojë ndjesë për përmbajtjen e mesazhit”, tha ministri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.