Indeksi i lirisë së shtypit – “RSF” korrigjon raportin, Shqipëria e 76-ta në botë
Shqipëria ka bërë një progres të lehtë, për sa i përket lirisë së shtypit gjatë vitit 2017. Indeksi i lirisë së shtypit i vitit 2017, i Reporterëve pa Kufij e rendit vendin tonë të 76-tin në botë, ndër 180 vende, nga vendi i 82-të që ishte një vit më parë.
Vendi ynë ka grumbulluar 29.92 pikë. Në raportin e publikuar fillimisht, ekzistonte një gabim në renditjen e përgjithshme, pasi Shqipëria renditej në vendin e 76 si në 2016 ashtu edhe në 2017. Por, ky lapsus është korrigjuar menjëherë nga “Reporterët pa Kufij”. Sa i përket vendeve fqinje, Shqipëria sipas Reporterëve pa Kufij ka një liri shtypi më të vogël se Bosnje-Hercegovina apo Serbia, por një liri më të madhe se Maqedonia, Mali i zi, Kosova apo edhe Greqia.
Maqedonia renditet e 111-ta, Mali i Zi i 106-ti, Greqia e 88-ta dhe Kosova e 82-ta. Bosnje – Hercegovina dhe Serbia renditen në vendin e 65-të dhe 66-të respektivisht. Në rang global, ndërkohë, spikasin vendet europiane, që mbajnë edhe pesë pozicionet e para në listë, me Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Danimarkën dhe Holandën. Belgjika dhe Islanda mbyllin dhjetëshen e parë. Në vend të fundit qëndron Korea e Veriut.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.