Indeksi i shitjeve rritet me 1.7% në tremujorin IV 2016
Shitjet e sektorit privat të ekonomisë shënuan edhe për tremujorin e katërt të vitit të kaluar një rritje modeste, me 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja është disi më e lartë në raport me rritjen prej 1.4% të tremujorit të tretë, megjithatë, ende qëndron në nivele më të ulëta në raport me rritjen ekonomike.
Rritja modeste e shitjeve i detyrohet sidomos ecurisë negative të degës së industrisë. Sipas Institutit të Statistikave, shitjet në industri ranë me 9.4% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndikimin më përcaktues vazhdon ta japë kriza e shitjeve në industrinë nxjerrëse. Shifra e afarizimit në tremujorin e katërt 2016 për këtë sektor ra me 20%. Por, ndonëse në përmasa më të vogla, edhe industria përpunuese pësoi rënie të shitjeve, me 1.8%.
Me përjashtim të industrisë, degët e tjera të ekonomisë edhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar shfaqën një ecuri pozitive. Ndërtimi regjistroi përsëri një rritje të kënaqshme, me 6.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shitjet në sektorin e shërbimeve u rritën me 4.7%.
Brenda shërbimeve, rritjen më të lartë të shitjeve e patën degët e agjencive të udhëtimit, me 21.8% dhe informacioni e komunikimi, me 11.3%. Tregtia, sektori me peshën më të lartë në indeksin e shitjeve, për tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit me 3.8%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.