Indi, “bum” në shitjet online – Shkak janë tarifat e ulëta të celularit dhe heqja e kartëmonedhave

Portalet e shitjeve online në Indi po tërheqin më shumë vizitorë, një pjesë e madhe e të cilëve vjen nga qytetet më të vogla të vendit.
Gjatë 2017-ës, numri i blerësve aktivë mujorë në industrinë e shitjeve online në Indi u rrit me 33% nga viti në vit, duke kapur 20 milionë blerës.
Kjo vjen kryesisht për shkak të rritjes së përdorimit të internetit në qendrat e vogla urbane falë kompanisë së telekomunikacionit Reliance Jio dhe heqjes nga qarkullimi të dy kartëmonedhave me vlerë më të madhe.
Që prej lancimit në vitin 2016, Reliance Jio ka ofruar data, ose njësi për lundrim në internet, me tarifa shumë të ulëta, duke detyruar edhe konkurrencës, si Bharti Airtel dhe Vodafone të reduktojnë tarifat e tyre gjithashtu.
Nga ana tjetër, demonetizimi ka detyruar shumë indianë të blejnë online dhe të kryejnë transaksione në mënyrë digjitale.
Qytetet e grupit të dytë ishin kontributorët më të mëdhenj në rritjen e përdoruesve, duke përbërë 41% të blerësve totalë. Ky trend pritet të vazhdojë dhe qytetet më pak të mëdha pritet të zënë gjysmën deri në vitin 2020.
Nga kjo lëvizje po përfitojnë kompanitë që merren me shitje online, duke u përgatitur për zgjerimin e tregut. Këto përgatitje përfshijnë investime të mëdha në logjistikë dhe zinxhirët e furnizimit.
Kompanitë gjithashtu kanë nisur të zgjerojnë rrjetin e tyre të shpërndarjes, duke mos u mbështetur më vetëm në shërbimet postare, por duke krijuar shërbimet e tyre të transportit. Një shembull në këtë drejtim është ai i Alibaba, ku grupi investoi 35 milionë dollarë në kompaninë indiane të logjistikës XpressBees.
Deri më tani, nga qytetet mesatare në Indi, pjesa më e madhe e blerjeve i takojnë produkteve me marzh të ulët fitimi si celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Është thelbësore për kompanitë e shitjes online që të drejtojnë fokusin e blerësve drejt produkteve me marzh të lartë fitimi si veshjet apo dekori i shtëpisë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.