India do të zëvendësojë Kinën si motori i rritjes ekonomike globale

India është e destinuar të dalë në skenë si një superfuqi ekonomike, nxitur pjesërisht prej popullsisë së re dhe plakjes së Kinës dhe Tigrave të tjerë të Azisë.
Numri i personave mbi moshën 65 vjeç do të rritet të Azi, nga 365 milionë sot, në mbi gjysmë miliardi në vitin 2027. Ndërsa India do të drejtojë valën e tretë të madhë të rritjes ekonomike në Azi, e ndjekur nga Japonia dhe Kina, me një forcë pune potenciale e cila do të shkojë nga 885 milionë në 1.08 miliardë njerëz brenda 20 viteve të ardhshme.
Ky është parashikimi që bën kompania e konsultimit Deloitte, në raportin e publikuar ditën e hënë.
“India do të jetë faktor për më shumë se gjysmën e rritjes në forcat e punës të Azisë në dekadat që vijnë. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për më shumë punëtorë, por për punëtorë të trajnuar më mirë dhe me të arsimuar se forca e punës ekzistuese indiane”, thotë Anis Chakravarty, ekonomist pranë degës së Deloitte në Indi.
“Do të ketë edhe potencial për rritje ekonomike bashkë me të, falë rritjes së pjesëmarrjes së grave në forcat e punës. Efektet për bizneset janë shumë të mëdha”.
Teksa e ashtuquajtura “vera indiane” pritet të zgjasë me dekada të tërë, ajo nuk është shteti i vetëm që pritet të ketë rritje. Indonezia dhe Filipinet kanë gjithashtu popullsi në moshë relativisht të re.
Por, nëse nuk qëndron brenda kornizave të duhura për të mbështetur dhe nxitur rritjen, popullsia e madhe mund të përballet me një krizë papunësie dhe shoqërore.
Shtetet që do të përballen me sfidat që sjell plakja e popullsisë janë Kina, Hong Kongu, Taivani, Korea, Singapori, Tailanda dhe Zelanda e Re. Ndërsa për Australinë, impakti i plakjes do të jetë edhe më i ulët se në Japoni, pasi ky vend i mirëpret emigranët dhe kjo ngadalëson ritmin e plakjes.
Eksperienca e Japonisë tregon se ka edhe mundësi që vijnë me plakjen. Kërkesat janë rritur në sektorë si kujdesi për të moshuarit, mallrat e konsumit për të moshuar, strehim specifik dhe infrastrukturë sociale, si edhe në menaxhim asetesh dhe sigurime.
Por që Azia të përballet siç duhet me 1 miliardë njerëz mbi 65 vjeç në vitin 2050, do të duhet që:
- Të ngrihet mosha e pensionit
- Të shtohen gratë në forcat e punës
- Të pranojnë më shumë emigrantë
- Të rrisin prodhimin
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.