Individët, 9.3 miliardë euro kursime – 83% janë depozita bankare, bien bonot dhe obligacionet
Familjet shqiptare zotërojnë kursime në vlerën e 1.14 trilionë lekëve ose rreth 9.3 miliardë euro. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti kursimet e individëve u rritën me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto kursime përfshijnë të gjitha asetet financiare të individëve rezidentë, përfshi depozitat bankare, bonot, obligacionet, si edhe kuotat në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve. Depozitat bankare dominojnë dukshëm strukturën e kursimeve të shqiptarëve, me pothuajse 83% të vlerës totale. Depozitat e individëve në fund të qershorit kishin vlerën e 945 miliardë lekëve, në rritje vjetore krahasuar me 4.5%. Në një vit, shqiptarët i kanë shtuar depozitat e tyre bankare me 41 miliardë lekë, shifër kjo e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes depozitave në lekë dhe atyre në valutë.
Instrumenti i dytë më i rëndësishëm për investimin e kursimeve të individëve janë titujt e borxhit të qeverisë shqiptare. Bonot dhe obligacionet në portofolin e tyre kishin në fund të qershorit vlerën e 134 miliardë lekëve ose afërsisht 1.1 miliard eurove. Por, në 12 muajt e fundit interesi i shqiptarëve për këto instrumente ka rënë. Vlera totale e bonove dhe obligacioneve të mbajtura nga individët ka rënë me 8 miliardë lekë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fondet e investimet, ku vlera e investuar nga individët shqiptarë ka rënë me 1 miliardë lekë krahasuar me mesin e vitit të kaluar. Sidoqoftë, kuotat në fondet e investimit kanë vlerën e 61 miliardë lekëve ose 5.4% të kursimeve të individëve.
Fondet e pensioneve private vullnetare kanë ritmin më të lartë të rritjes vjetore, me rreth 28%; por ato zënë ende një peshë tejet të ulët, me 0.2% të totalit të kursimeve të individëve, për një vlerë totale prej 2.3 miliardë lekësh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.