Industria e automjeteve jep alarmin: Brexit mund të ketë pasoja të mëdha

Prodhuesit europianë të automjeteve ngritën alarmin për dëmin potencial që Brexit mund të shkaktojë në konkurrueshmërinë në këtë industri.
Industria automotive përbën 6,5% të PBB së Bashkimit Europian dhe punëson 12,2 milionë europianë në të gjithë kontinentin.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Europianë të Automjeteve (ACEA), Erik Jonnaert foli për rreziqet që i kanosen industrisë.
“Sot, industritë automotive të BE dhe të Mbretërisë së Bashkuar janë të ndërlidhura ngushtë: në aspekte ekonomikë, rregullatorë dhe teknikë. Çdo ndryshim në këtë nivel integrimi me shumë siguri do të ketë një impakt të gjerë tek prodhuesit e automjeteve që operojnë në BE ose MB, si edhe tek ekonomia europiane në përgjithësi”, tha Jonnaert.
Industria e prodhimit të automotivëve është shumë komplekse. Një pjesë e vetme automjeti mund të përbëhet nga mbi 30 komponentë, të cilët kalojnë njëqind hapa para se të bëhen një produkt përfundimtar. Ato mund të kalojnë në 15 shtete dhe të kalojnë kufijtë disa herë gjatë ndërtimit. Një automjet nga ana tjetër, përbëhet nga 30 mijë pjesë.
Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. 90% e automjeteve të prodhuara në MB vitin e kaluar u blenë nga klientë në Europë.
BE përfaqëson 80% të importeve në mjete motorike për MB, me një vlerë prej 42 miliardë euro. Çdo 7 nga 10 makina që shiten në MB vijnë nga fabrika të ndodhura në vendet e BE.
Sipas përllogaritjes së ACEA, tarifat e shtuara, procedurat doganore dhe shkresat zyrtare mund të rrisin koston e makinave në 10%, atë të automjeteve të tjera nga 10-22%, ndërsa 3-4% mesatarisht për pjesë dhe komponentë.
ACEA përfaqëson 15 prodhues automjetesh të bazuar në Europë, si: Ford, Fiat, BMW, Opel, Volkswagen, Renault, Daimler (Mercedes-Benz), Volvo, etj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.