Industria e qumështit – 30 kompani në treg, sektori që “lundron” në mbi 70% informalitet
Qumështi dhe nënproduktet e tij përfshihen në shportën bazë të konsumit. Por vitet e fundit teksa në treg kanë hyrë rreth 30 kompani që e ofrojnë këtë produkt të përpunuar, duke tentuar të largojë konsumatorët nga blerja direkte e tij tek fshatari, sërish informaliteti është tejet i lartë.
Aktualisht kjo industri vuan informalitet në shkallën mbi 70 për qind, ndërsa janë rreth 400 baxho në funksion dhe duket se lënda e parë është problemi kryesor që prish të gjithë hallkën e zinxhirit.
Qumështi i grumbulluar për përpunim rezulton të jetë më pak se 11% e totalit të qumështit në ferma të raportuar për vitin 2016, përkundrejt një norme të grumbullimit të qumështit mesatarisht 90% në vendet e BE-së.
Sipas shifrave të Eurostat norma e grumbullimit varion nga 72% në 100%, nga kjo normë bëjnë përjashtim vetëm Rumania (22%) dhe Bullgaria (48%). Norma e grumbullimit të qumështit në Kosovë rezulton të jetë rreth 24.3%, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Qumështit në Kosovë.
Bazuar në këto të dhëna, kompanitë e mëdha të qumështit ngrenë edhe pikëpyetjet mbi informalitetin e lartë dhe sa nga ky qumësht konsumohet i pa kontrolluar.
“Pyetja që shtrohet është se çfarë përdorimi gjen rreth 89% e qumështit të prodhuar në vend, sasi e cila vlerësohet se nuk kalon përmes një procesi përpunimi në sektorin e blegtorisë dhe agro-industrisë? Nga kjo diferencë, sa është shifra reale e informalitetit në sektorin e qumështit? A ushqehen shqiptarët me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit?”, shprehet Elivar Golemi, Drejtore e Përgjithshme e kompanisë “AGS Sh.p.k.
Në Shqipëri prodhohen 1.15 milion tonë qumësht ose rreth 400 litra për frymë. Sipas INSTAT sasia e qumështit të grumbulluar nga fabrikat e përpunimit gjatë vitit 2016 llogaritet në rreth 125 mijë tonë.
Ndërsa si volum tregu formal dhe informal, kjo industri llogaritet të qarkullojë një vlerë prej 600 milionë eurosh.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.