Industria Gjermane -Porositë rriten ndjeshëm për Shkurtin

Porositë industriale në Gjermani janë rritur për Shkurtin, pas një rënieje në muajin paraardhës dhe Ministria e Ekonomisë thotë se pritet një rimëkëmbje në këtë sektor. Megjithatë, rritja e kontratave në fabrikat gjermane rezultoi më e dobët se sa pritej.
Kontratat u rritën me 3.4% për muajin Shkurt, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë. Të dhënat erdhën pas një sondazhi në këtë sektor, që tregoi se aktiviteti kishte prekur nivelin më të lartë në 6 vite, nxitur nga porositë për mallrat e ndërmjetëm. Kjo tregon se sektori do të kontribuojë në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë.
Rritja e porosive për muajin Shkurt u nxit nga një fuqizim i kërkesës së brendshme, ndërkohë që kompanitë gjermane kanë porositur 8.1% më shumë mallra se në muajin Janar. Porositë nga jashtë, kryesisht nga vendet e Eurozonës, dështuan të kontribuojnë. Të dhënat e muajit Shkurt tregojnë se kërkesa për mallra të ndërmjetëm, mallra kapitale dhe produkte të konsumit është rritur.
Ministria e Ekonomisë deklaroi se performanca e sektorit industrial do të vazhdojë të përmirësohet në muajt që vijnë. Të dhënat e fundit për ekonominë gjermane treguan se papunësia ka rënë, shitjet me pakicë janë rritur dhe aktiviteti i shërbimeve është përshpejtuar.
Tregues për muajt e ardhshëm janë gjithashtu pozitivë, ndërkohë që humori i biznesit shënoi nivelin më të lartë në 6 vite. Humori i investitorit është rritur gjithashtu, pavarësisht rreziqeve që ekonomia gjermane mund të përballet më vonë gjatë vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.