Industria gjermane s`ndalet – Rriten porositë gjatë Qershorit, fakë kërkesës së brendshme
Porositë industriale në Gjermani u rritën dy herë më shumë se ç`pritej gjatë Qershorit, si pasojë e një boomi të kërkesës së brendshme, që ka lënë tërësisht në hije dobësinë e kërkesës nga jashtë.
Të dhënat sinjalizojnë se, sektori industrial në ekonominë më të madhe të Europës do të fitojë vrull gjatë muajve në vijim.
Fabrikat raportojnë kështu një rritje të porosive me 1% gjatë muajit Qershor, tregojnë të dhënat e fundit të Ministrisë së Ekonomisë në vend.
Shifra e muajit Maj ndërkohë u rishikua në territor pozitiv, në 1.1% rritje.
Të dhënat e Qershorit rezultojnë mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve, që flisnin për një normë rritje pranë vetëm 0.5%.
Kërkesa e brendshme për mallrat e industrisë gjermane u rrit me plot 5.1% gjatë muajit, ndërkohë që, kërkesa nga jashtë pësoi një rënie me 2%.
Porositë nga vendet e Eurozonës ranë me 2.4%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se, forcimi i euros nuk do të ketë ndikim në trendin rritës.
Ky është indikatori i radhës në serinë e atyre që tregojnë se, ekonomia më e madhe e Europës është në një formë të jashtëzakonshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.