Industria rrit investimet, shërbimet krijojnë 21 mijë vende pune – Industria nxjerrëse në krizë, munguan investimet

Gjatë vitit 2016, numri i ndërmarrjeve që operojnë në vendin tonë u rrit me 4 mijë të tilla, ku pjesa më e madhe i takojnë sektorit të shërbimeve, ndërsa vetëm 600 të tilla janë kompani të reja në sektorin e shërbimeve.
Numri i shtuar i ndërmarrjeve ka sjellë edhe shtimin e 34 mijë vendeve të reja të punës, ku 21 mijë i takojnë sërish shërbimeve.

Tashmë është e qartë se aktiviteti ekonomik po përqendrohet gjithmonë e më shumë drejt këtij sektori, i cili përfshin tregtinë, akomodimin, restorant, transportin, e çdo formë tjetër shërbimi të ofruar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Një gjë e tillë reflektohet edhe në shitjet neto të ndërmarrjeve, ku shërbimi rriti të ardhurat me rreth 66.8 miliardë lekë, kundrejt rritjes me vetëm 13 miliardë lekë të sektorit të industrisë.
Rritja e të ardhurave është shpërndarë pothuajse e barabartë në të gjitha nëndegët e aktiviteteve ekonomike, me përjashtim të industrisë nxjerrëse, e cila ka shënuar një rënie drastike prej 18 miliardë lekësh në të ardhura.
Kjo rënie mund të shpjegohet edhe me uljen e investimeve për industrinë nxjerrëse, të cilat për vitin e kaluar ishin vetëm 6.1 miliardë lekë, ose sa ¼ e investimeve në vitin 2015. Për shkak të krizës, kjo industri ka humbur rreth 500 vende pune dhe ka sjellë mbylljen e 228 ndërmarrjeve.

Situata paraqitet krejt ndryshe në industrinë përpunuese, ku janë krijuar 1200 ndërmarrje të reja me rreth 12 mijë vende pune. Sektori arriti të arkëtonte 14 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, të ardhura të cilat janë rikthyer në formën e investimeve.
Kriza në sektorin e ndërtimit, ndërkohë duket se ka filluar të vendoset në binarët e rimëkëmbjes, favorizuar nga shtimi i shitjeve neto. Megjithatë, viti i shkuar u mbyll me rreth 500 ndërmarrje më pak në këtë fushë dhe me një ulje të investimeve.
Një moment të vështirë kaluan dhe ndërmarrjet që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e energjisë elektrike dhe ujit, mbylljen disa aktivitete dhe shkurtuan vende pune. Edhe pse kanë rritur investimet me rreth 34 miliardë lekë, ato i atribuohen kryesisht atyre të bëra nga gazsjellësi TAP.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.