Infacioni në Eurozonë arrin 2% në muajin Shkurt

Inflacioni në Eurozonë është rritur në nivelin më të lartë që prej Janarit 2013, duke mbështetur gjerësisht përfundimin e programit stimulues monetar të Bankës Qendrore Europiane.
Çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 2% në muajin Shkurt me bazë vjetore, tregon agjencia e statistikave e Bashkimit Europian, krahasuar me 1.8% që ishte në Janar.
Rritja e çmimeve të naftës ka nxitur inflacionin në vendet e Eurozonës, përfshirë Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë. Komponentë të tjerë kontribuues kanë qenë grupet “ushqim, pije alkoolike dhe duhan” në rritje me 2.5% dhe “shërbimet” me 1.3% rritje.
Megjithatë, inflacioni bazë në Eurozonë, që heq elementët e luhatshëm si energjia, mbeti i pandryshuar për muajin Shkurt në 0.9%. Divergjenca mes dy treguesve thekson sfidat e BQE për zgjedhjen e sasisë së duhur të stimujve monetar.
Në muajin Janar, Presidenti i Bankës, Mario Draghi, theksoi se arritja e objektivit të çmimeve duhet të jetë e qëndrueshme dhe të përfaqësojë të gjithë vendet e Eurozonës.
Projeksionet e fundit të bankës parashikonin një normë mesatare të inflacionit prej 1.3% këtë vit dhe 1.5% në 2018-ën. Megjithatë Banka do ti përditësojë këto projeksione me datë 9 Mars, pas takimit të këshillit drejtues.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi papunësinë në Eurozonë për Janarin. Norma e papunësisë qëndroi në 9.6%, e pandryshuar në krahasim me muajin Dhjetor, dhe në rënie nga 10.4% që ishte në Janar të 2016-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.