“Infektimi” i veshjeve dhe këpucëve!
Nëse call-centerat e gjetën një zgjidhje të shpejtë për t’i mbijetuar pandemisë “COVID-19”, përmes punës nga shtëpia, apo siç quhet ndryshe “smart-work”, prodhimi i veshjeve dhe këpucëve kurrsesi nuk mund të bëhet nga shtëpia, e aq me tëpër duke shtuar këtu faktin e rënies së kërkesë së menjëheshme nga vendet partnere. Sektori me material porositësi, apo siç e njohim fason, ishte i pari i cili u godit nga përhapja e shpejtë e infeksionit coronavirus dhe në vendet fqinje dhe më tej në Shqipëri.
Kërkesat nga kompanitë e huaja ranë ndjeshëm për shkak të bllokimeve të aktiviteteve ekonomike dhe masave që morën fqinjët, të pasuara nga ato në vendin tonë, duke rrezikuar kështu pagën modeste të mijëra të punësuarve. E nëse sektorët e tjerë të ekonomisë kanë nisur të rigjallërohen, sërish fasonët po vuajnë mbi shpatulla pasojat e zgjatura të pandemisë COVID-19.
Pasojat mbi fasonët
Sipas të dhënave nga ky sektor, pandemia ka shkaktuar mbylljen e një sërë fabrikash në vend si dhe largimin nga puna të rreth 2500 punonjësve. E thënë ndryshe 3 për qind e firmave apo 21 prej tyre kanë ulur përfundimisht qepenët. Megjithëse të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë një rigjallërim të aktivitetit të kompanive gjatë muajit Gusht, ku eksportet e nëngrupit tekstile dhe këpucë u rritën me 5.2%, prodhuesit theksojnë se kjo ka ardhur si rezultat i dorëzimit të porosive të lidhura shumë muaj më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria eksportoi këtë gusht 7.5 miliardë lekë nga ky grup mallrash, duke njohur një rritje me 1 miliardë lekë krahasuar me gushti e vitit të kaluar. Megjithatë, në rang 8 mujori (janar-gusht) gropa e eksporteve të këtij grupi mallrash vijon të mbetet e madhe. Në krahasim me periudhën janar-gusht 2019, Shqipëria ka eksportuar në janar-gusht 2020, 15 miliardë lekë më pak këpucë dhe tekstile. Ndërkohë që edhe pse kërkesat ishin të vazhdueshme nga fasonët, qeveria nuk doli me një paketë të dedikuar ekonomike për mbështetjen e këtij sektori.
Pandemia “infektoi” kompanitë
Afro 88.4 për qind e fabrikave të veshjeve dhe të këpucëve në vendin tonë shprehen pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë negativisht apo negativisht në biznesin e tyre, ndërsa 10.3 për qind kanë ndjerë një ndikim mesatar. Këto janë rezultatet e anketës së zhviluar nga shoqata “Pro-Eksport Albania” zhvilloi me anëtarët e saj. Ndërkohë që efektet e pandemisë vijojnë të rëndojnë mbi punën e këtij sektori.
Ndër problemet më të mëdha që hasin sot prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve në vend janë rritja e kostove, ulja e prodhimit, mungesa e likujditetit dhe mungesa e klientëve. Duke shtuar këtu edhe problematika si sigurimi i kontratave te reja; mungesa e fondeve te mjaftueshme per investime, pamundësia financiare për investime të nevojshme në infrastrukurën e duhur; të ardhurat në rënie, dhe shpenzimet në rritje si transporti i punonjësve, dezinfektimi, maskat, dorezat etj. Ndërkohë që 64.1 për qind shprehen se po vijojnë punën me kapacitet të kufizuar gjatë kësaj kohe dhe vetëm 28.2 për qind i janë kthyer punës e kapacitet të plotë.
Referuar anketimit, edhe pse aktivitet ekonomike rifilluan pas periudhës së karantinës, përgjatë muajve të verës Qershor-Gusht, kompanitë e veshjeve dhe këpucëve shprehen se kanë pasur rënie të të ardhurave në nivelin 49.9 për qind. Ndërkaq, afro gjysma e fasonëve shprehen se politikat e ndjekura nga qeveria gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur asnjë ndikim në vijimin e aktiviteti të tyre.
Nga ana tjetër edhe pritshmëritë nuk janë pozitive, pasi për afro gjysma e kompanive nuk kanë kontrata të qarta me klientët për muajt në vijim. Pjesa më e madhe e fabrikave shprehen se nëse vazhdon ky bllokim, jetëgjatësia e aktivitetit të tyre mund të jetë maksimumi 1-3 muaj, ndërsa më shumë se gjysma prej tyre nuk kanë likujditet të mjaftueshëm për të paguar detyrimet. Anketimi i “Pro-export” është kryer me një kampion prej 100 sipërmarrjesh të mëdha, të mesme dhe të vogla të sektorit, që përfaqësojne 14,5% përqind të totalit të 700 fabrikave të regjistruara me status aktiv.
Dy kërkesat e fasonëve për të “mundur” pandeminë
Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, përballë vështirësive për mbijetesë, ka dy kërkesë kryesore kundrejt qeverisë, që do t’i kthente kompanitë në normalitetin e munguar. Në një intervistë për “SCAN Magazine”, Kryetari i Shoqatës “Pro-export Albania”, Edvin Prençe, analizon situatën në të cilën ndodhet sektori dhe çfarë duhet bërë për t’ia dalë mbanë.
Përpos problematikave që kompanitë e vëshjeve dhe këpucëve kanë shprehur në anketë, si mund të dilet nga kriza e pandemisë duke qenë se është ndër sektorët me punsueshmërinë më të lartë dhe që po përballet me vështirësi të shumta?
Nga anketimi që ne bëmë dhe nga situata e pandemisë COVID-19, ajo çfarë ne kemi kërkuar dhe jemi në bashkëpunim me një grup pune që Ministria e Financave ka krijuar për sektorin tonë, është krijimi i një “business how”. Çfarë do të thotë? Ne kërkojmë që me anë të ndihmës së qeverisë shqiptare, por edhe të donatorëve, të krijohet një urë lidhëse për kërkimin e një tregu të ri përsa i takon materialeve të reja që tashmë janë kërkesë e tregut, që janë materialet njëpërdorimshe ose dhe veshjet spitalore. Bashkëngjitur kësaj kërkese, ne gjithashtu kemi kërkuar nga qeveria dhe një paketë ndihme me grante ose kredi të buta, sepse për t’iu adaptuar kërkesave të tregut ne kemi nevojë edhe për një diversifikim të makinerive që kemi brenda farbrikave tona, por për të qenë sa më të shpejtë, për të qenë sa me koherentë me kërkesat e klientëve duhet që sa më shpejt këto makineri të jenë brenda fabrikave tona dhe ne të jemi të gatshëm të japim prodhimin me sasitë e duhura dhe cilësitë e duhura sipas kërkesave të klientëve. Në rast se këto dy kushte nuk do të realizohen shpejt, do të humbasim rastin më të rëndësishëm që i paraqiten Shqipërisë, duke parë edhe rënien e interesit që kanë me Kinën, për t’u bërë pjesë e prodhimit të këtyre materialeve për tregun europian.
Ju kërkoni mbështetje me kredi, ndërkohë që qeveria ka vënë në dispozicion dy garanci sovrane për këtë qëllim. Përse nuk janë përqafuar nga kompanitë tuaja këto instrumente të qeverisë?
Arsyeja kryesore e përjashtimit të sektorit tonë për aplikime sidomos për garancinë sovrane 2, është sepse pjesa thelbësore e kësaj kredie ishte analiza e rriskut. Ne e dimë shumë mirë tashmë, që shumë fabrika të sektorit tonë kanë pasur edhe kanë aktualisht krizën e likujditetiut, kanë ndoshta edhe në vështirësi në pagesë në detyrimet kundrejt shtetit dhe kjo në mënyrë automatike i përjashtonte këto biznese për të pasur mundësinë e aplikimit për garanci sovrane. Prandaj ne këkrojmë një paketë ekonomike të dedikuar për sektorin, ashtu siç qeveria ka bërë paketa të dedikuara për sektorë të tjerë. Dhe është shumë e thjeshtë, çfarëdolloj fabrike që ka një biznesplan të mirëfilltë, që ka një kontratë tashmë të firmosur ose një kontratë që është në bashkëbisedim me firmat e huaja, të paraqitet pranë bankave apo pranë një drejtorie që mund të ngrihet pranë Ministrisë së Financave dhe të aplikojë për të marrë një kredi në mënyrë më të lehtë, më të drejtë dhe më të shpejtë.
Sa e kanë vuajtur punonjësit e këtij sektori krizën e pandemisë COVID-19, a ka pasur shkurtime masive nga puna dhe cilat janë pritshmëritë?
Të paktën dy ndërmarrje në javë bëjnë shkurtime të vendeve të punës ose mbyllje të një pjese të linjave të prodhimit. Sidomos me i godituri nga të gjithë, është sektori i prodhimit të këpucëve. Është me të vërtetë në një bllokim total përsa i përket prodhimit të këpucëve. Për ne është një dhimbje e madhe sepse në fund të fundit këta punëmarrës janë pjesë të një aseti të firmave tona, është investuar për formimin e këtyre personave që të jenë në cilësinë e duhur dhe të kuptojnë se çfarë duhet të prodhojnë dhe për ne është humbje e madhe largimi i tyre nga puna. Por pikërisht, këto dy pika që ne i kërkojmë qeverisë si mbështetje, do të evitonin këtë pandemi ekonomike që ka përfshirë sektorin tonë.
Tre programet për nxitjen e punësimit të vëna në dispozicion nga qeveria, a janë efikase për të rikthyer stafin e humbur?
Vendimi i Këshillit të Ministrave që doli për nxitjen e punësimit, për punonjësit e dalë nga marrëdhëniet e punës në këtë periudhë pandemia është shumë pozitiv. Por ajo që ne kërkuam është që kjo të përfshinte jo vetëm ata punonjës që kanë humbur punën gjatë kohës së pandemisë por edhe ata që kanë qenë edhe më përpara jashtë marrëdhënieve të punës. Por në momentin që ne nuk mbështetemi me dy kërkesat e para dhe nuk ka kërkesa apo kontrata të reja për sektorin tonë, normalisht nuk do të ketë as punësime të reja apo prurje të njerëzve në punë.
Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
Lexo numrin e plotë të revistës:
http://online.anyflip.com/sbspu/cvce/mobile/index.html#p=18
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.