“Infermierë për Shqipërinë” – Manastirliu: Punësohen me meritë 218 infermierë
Nga konkursi i tretë “Infermierë për Shqipërinë”, janë punësuar me transparencë dhe meritokraci, 218 infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore teknike në sistemin shëndetësor publik në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu priti infermierët e punësuar rishtazi dhe njoftoi se portali “Infermierë për Shqipërinë” do të përfshihet në ligjin e ri për kujdesin shëndetësor. Manastirliu, duke theksuar se platforma “Infermierë për Shqipërinë” është një hap përpara drejt garantimit të transparencës dhe meritokracisë për punësimin në sistemin shëndetësor publik, tha se ky sistem i jep përparësi përzgjedhjes së më të mirëve.
“Nga 218 profesionistë të punësuar, ka mes jush infermierë ekselentë që kanë hyrë në testim me 10 pikë bonus, një praktikë e re e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të ‘Paktit për Universitetin’ dhe angazhimit që kemi marrë për të rritur cilësinë në kujdesin shëndetësor, përmes punësimit të më të mirëve në sistemin publik” –tha Manastirliu.
Gjithashtu ministrja theksoi se edukimi në vazhdim do të jetë detyrim i institucioneve shëndetësore. “Punësimi është vetëm hapi i parë. Tashmë edukimi në vazhdim, do të vendoset në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor si detyrim i institucioneve për t’jua mundësuar dhe nëse jo, do të penalizohen drejtuesit e institucioneve shëndetësore” -tha Manastirliu.
Për sa i përket ndryshimeve në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se akreditimi 5-vjeçar i institucioneve shëndetësore publike dhe jo publike, do të bëhet vetëm nëse plotësohen kriteret bazë, që do të jenë kusht për akreditimin.
“Ndryshimet që ne propozojmë në ligj lidhen edhe me plotësimin e kushteve bazë të çdo institucioni që ofron shërbim shëndetësor, qoftë ky publik apo jo publike. Nëse nuk plotësojnë kushtet bazë, nuk do të munden të operojnë më, pasi do t’u pezullohet licenca deri në plotësimin e këtyre kushteve dhe më pas do të mund të përfshihen në procesin e akreditimi” -tha Manastirliu për çështjen në fjalë.
Sipas njoftimit përveç 218 infermierëve të sapo punësuar janë 1161 profesionistë, përkatësisht 1,031 infermierë, 82 mami, 5 fizioterapistë dhe 18 teknik imazherie, që i janë bashkuar sistemit shëndetësor publik që prej hapjes së portalit “Infermierë për Shqipërinë” një vit më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.